E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bastet Atalanta kunder Donit

Atalanta i kundërvihet Kristiano Donit për skandalin e basteve që ka tronditur Italinë. Nëse fillimisht dukej se klubi doli në mbështetje dhe në mbrojtje të ish-kapitenit, tashmë zikaltërit distancohen nga lojtari, i cili është njëri prej të akuzuarve kryesorë në skandalin “Basti i Fundit”.
Klubi bergamask ka bërë publik qëndrimin nëpërmjet një deklarate të ashpër për shtyp, por ku nuk mungoi edhe zhgënjimi, pasi askush nuk besonte se do të arrihej deri në këtë pikë. Megjithatë, zhvillimet më të fundit të hetimit të Prokurorisë së Kremonës konfirmuan se Doni ishte i përfshirë në skandalin e basteve, edhe pas rrëfimit të 38-vjeçarit, i cili ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, ndërsa tashmë është në arrest shtëpie.
Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të klubit theksohej se “Atalanta shpreh besim të plotë te organet gjyqësore dhe sapo të mbyllet kjo çështje, do të veprojë kundër gjithkujt që ka dëmtuar imazhin dhe historinë e skuadrës”. Ndërkohë theksohej se rrëfimi i Donit ka ardhur si një thikë pas shpine, pas “në mirëbesim, klubi ishte i bindur se ai nuk kishte aspak lidhje me këtë skandal”.
“Gjithçka bëhet për të mbrojtur ata që me dedikim dhe punë po e drejtojnë ekipin drejt arritjeve prestigjioze sportive, theksohej në qëndrimin e klubit, dhe për tifozët, që na kanë qëndruar gjithmonë praën me mbështetjen e tyre”, citohej në deklaratë.
Pozicionimi i ashpër i drejtuesve të Atalantës ka ardhur pavarësisht se me rrëfimin e tij, ish-mesfushori ka shfajësuar çdo përfshirje të skuadrës, duke marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë për ndeshjet e manipuluara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›