E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani operohet në nofull, mungon ndaj Estonisë

Një e diel për t‘u harruar sa më shpejt që të jetë mundur për Erjon Bogdanin. Në një përplasje gjatë lojës në ndeshjen Kievo Udineze 1-1, sulmuesi shqiptar ka pësuar një frakturë në anën e majtë të nofullës, e cila e ka detyruar t‘i nënshtrohet një operacioni gjatë ditës së djeshme. Futbollisti i Kievos ka mbetur për një kohë të gjatë i shtrirë në fushë dhe më pas ka dalë me barelë, për t‘iu nënshtruar menjëherë kontrollit të mjekëve të specializuar. Erjoni është operuar në poliklinikën e Borgos në Romë, e specializuar për dëmtimet në fytyrë. Doktori kryesor ishte Pier Françesko Noçini. Ky i fundit është ndihmuar edhe nga përgjegjësi i infermierisë së Kievos, Françesko de Vita. Të dy së bashku kanë kryer ndërhyrjen në nofullën e shqiptarit. Pas këtij operacioni pritet të mësohet se cila do të jetë koha e rikuperimit, që sipas hipotezës më të mirë, mund të jetë relativisht e shpejtë. Gjithsesi, ky është një lajm i keq për trajnerin e Kombëtares kuqezi, i cili me shumë gjasa nuk do të mund të ketë në dispozicion të tij Bogdanin për ndeshjen miqësore të 14 nëntorit në transfertë ndaj Estonisë. Jo më pak e dhimbshme paraqitet situata edhe për trajnerin e Kievos, Mimo di Karlo. Përkundrazi, tekniku i skuadrës veroneze do të duhet të heqë dorë për disa ndeshje nga një prej sulmuesve të tij më të mirë, i cili në këto ndeshje të sezonit të ri të Serisë A ka demonstruar se është shumë i rëndësishëm në formacionin e parë të skuadrës, jo vetëm sepse ka shënuar dy gola, por se është edhe partneri ideal i Pelisier në sulm. Këtë e tregoi më së miri edhe në ndeshjen e fundit të barazuar 1-1 ndaj Udinezes. Edhe pse e nisi lojën si zëvendësues, Bogdani së bashku me Bentivolion ishin decizivë në kthesën e lojës nga Kievo që po humbiste 0-1. Ata i dhanë një impakt të jashtëzakonshëm ndeshjes, duke fituar mediat, të cilat pyesin pse Di Karlo nuk i ka futur që nga minuta e parë.

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›