"Shqipëria kujton", një antologji e prozës dokumentare
Me rastin e 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, si edhe në kuadrin e aktiviteteve të tetorit gjerman që po mbahen në Shqipëri, do të promovohet sot antologjia e prozës "Shqipëria kujton. 1941-1991", një përmbledhje që vjen prej shtëpisë botuese "K&B". Aktiviteti, i cili do të organizohet në ambientet e Bibliotekës së vjetër Kombëtare (përballë Parlamentit) do të paraqesë për lexuesin 28 shkrimtarë, ndër më të njohurit e letrave tona, të cilët kujtojnë për të mos harruar. Kjo antologji vjen si historia më e re e Shqipërisë që përcillet përmes prozës dokumentare dhe tregimit të mirëfilltë. Me këtë rast, pasditen e sotme do të bëhen të ditur edhe emrat e fituesve të konkursit për tregimtarët e rinj më të mirë, organizuar nga shoqata kulturore shqiptaro-gjermane "Robert Schwartz".