"Lindje, Perëndim, Lindje" sot premierë për mediat
"Lindje, Perëndim, Lindje", komedia dramatike me regji të Gjergj Xhuvanit, do të shfaqet sot paradite premierë për mediat. Menjëherë pas projeksionit të filmit, do të mbahet edhe konferenca për shtyp. Filmi, skenari i të cilit është shkruar prej Dhimitër Xhuvanit, Gjergj Xhuvanit e Jani Durit, rrëfen një aventurë herë komike e herë dramatike, në të cilën përfshihen një grup çiklistësh shqiptarë, të cilët të joshur nga ëndrra e Perëndimit pësojnë një sërë eksperiencash krejtësisht të paparashikuara nga ëndrrat e tyre. Ngjarja është një udhëtim i fundit drejt Perëndimit që i kthen edhe një herë në Lindje. Muzika e "Lindje, Perëndim, Lindje", mban firmën e këngëtarit të njohur italian Enrico Ruggeri. Për herë të parë, filmi u shfaq në Festivalin Ndërkombëtar të Prishtinës, PriFilmFest, ku u vlerësua edhe me çmimin e jurisë "Pri Jurie Price". Për publikun e gjerë filmi do të shfaqet më 4 nëntor.