E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia, shtyhet "supergjoba" Skuadrës i jepet edhe një shans

Humbja me Tiranën të premten e fundit e ka futur Vllazninë në një qorrsokak. Drejtuesit e lartë, vetëm një ditë më parë, kishin paralajmëruar sot se do të kishte një mbledhje të bordit të klubit shkodran për të marrë në shqyrtim kërkesën e presidentit Valter Fushaj, për zbritjen në masën 30% të kontratave të lojtarëve, për shkak të rezultateve të dobëta ose për rast të mos impenjimit të mjaftueshëm të tyre gjatë sezonit. Numri një i klubit ka pretenduar se ky vendim është marrë në përputhje me kontratën që lojtarët kanë nënshkruar me klubin e Vllaznisë. Kjo do të ishte një "supergjobë" për futbollistët e kuqebluve. Të dielën ishte zhvilluar një takim me trajnerin Roland Luçi për paraqitjen jo të mirë të skuadrës. Ndërkohë që në fund të ditës së djeshme është mësuar se nuk është zhvilluar mbledhja e bordit të klubit, e cila, sipas burimeve jo zyrtare, është shtyrë për një afat të pacaktuar ende. Qëllimi i kësaj shtyrjeje është bërë për t‘i dhënë edhe një shans tjetër skuadrës, që të reagojë për përmirësimin e situatës. Në rast se lojtarët kuqeblu do të bëjnë kthesë bindëse në javët e ardhshme, duke iu rikthyer rezultateve dhe lojës së mirë, një gjë e tillë mundet edhe të mos aplikohet fare. Bilanci i shkodranëve në këtë fillimsezoni është një ndër më negativët në gjithë historinë e skuadrës: 6 humbje, 2 fitore me Apoloninë e Shkumbinin dhe 1 barazim ndaj Dinamos. 10 të pësuar dhe 4 të shënuar. Sipas klasifikimit të reparteve ofensive, kuqeblutë kanë sulmin më të keq së bashku me Gramozin e vendit të fundit në renditje, me vetëm 4 gola të shënuar. Ndërsa mbrojtja e tyre është e shtata më e dobët në Kategorinë Superiore, pasi ka pësuar plot 10 gola në 9 javët e para të këtij sezoni, me një mesatare 1.11 gola për ndeshje.

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›