E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani pranë largimit nga skuadra e Kievos

TIRANë- Aventura e sulmuesit shqiptar Erjon Bogdani tek ekipi italin i Kievo Veronës, duket se ka mbërritur në finish. Teksa po afrohet fundi i sezonit sulmuesit shqiptar i skadon kontrata me klubin e tij dhe duket se nuk do të ketë asnjë rinovim të saj.

Pra në muajin qershor Bogdani do të duhet të kërkojë një skuadër të re, ku do të mund të vazhdojë karrierën e tij si futbollit. Sipas mediave italiane, Bogdani nuk hyn më në planet e klubit veronez për sezonin e ardhshëm dhe kështu që në muajin qershor, kur edhe i skadon kontrata që e mbante të lidhur me këtë skuadër, do të jetë futbollist i lirë. Kjo situatë ka ardhur falë prishjes së marrëdhënies së shqiptarit me trajnerin e Kievos, Domeniko Di Karlo.

Bogdani, tashmë 33-vjeçar, e ka filluar karrierën e tij si futbollist te Partizani, me të cilin është aktivizuar në sezonet 1994-1998. Në janar të ‘98-s nisi aventura e tij në kampionatet e huaja, kur kaloi Gençlerbirxhi për vetëm 6 muaj dhe më pas pranoi ofertën e Kroacia Zagreb, ku luajti një sezon e gjysmë dhe shënoi 8 gola. Në janar 2000 u transferua te Rexhina në Serinë A, ku në tre sezone e gjysmë shënoi 11 gola. Me kalabrezët, Erjoni koleksionoi në total 37 prezenca, 4 gola në Serinë A.

Në dy sezonet pasuese u dha në formë huazimi te Salernitana dhe më pas te Verona, ku realizoi edhe kampionatin e tij më të mirë me 17 gola, i katërti në listën e golashënuesve në Serinë B.

Në verën pasuese blihet nga Siena për 1,5 milionë euro, ku shënoi 13 gola në Serinë A në një sezon e gjysmë. Në fakt, në janar 2007 ndryshoi sërish skuadër, pasi u ble nga Kievo për 3 milionë euro dhe në fund të sezonit u dha në formë huazimi te Livorno. Por atje Bogdani zhgënjeu me 2 gola në 25 ndeshje.

Në fillim të sezonit 2008-2009 u rikthye te Kievo, ku ka luajtur deri më tani. I vetmi trofe i fituar nga Bogdani jashtë Shqipërisë është shpallja kampion i Serisë B me Rexhinën në 2001-2002.

Deri tani Bogdani ka zhvilluar 299 ndeshje në kategoritë e ndryshme të kampionatit italian, por duket se këtë sezon sulmuesi shqiptar e ka mjaft të vështirë të arrijë shifrën 300, pasi trajneri i Kievos nuk po e grumbullon më në ekip.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›