E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani premtongola për Cesenën dhe Kombëtaren

TIRANë- Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani, në edicionin e kaluar të Serie A shënoi vetëm dy gola dhe shpreson që ndërrimi i skuadrës ta ndihmojë të gjejë më shpesh golin në kampionatin e ri. 33-vjeçari Bogdani muajin e kaluar firmosi për një vit me skuadrën Cesena. Kjo skuadër u kthye në kategorinë e parë të futbollit italian pas një kohe të gjatë.
"Aventura te Chievo nuk ishte ajo që dëshiroja, por megjithatë jam i kënaqur me atë që kam bërë për atë ekip. Ishte koha e duhur për të lëvizur nga kjo skuadër. Tani jam në një moshë kur duhet të shfrytëzoj çdo rast që më ofrohet. Seria A gjithnjë ka qenë prioriteti im dhe nuk kam dashur të largohem. E njoh mirë këtë ligë, pasi jam pjesë e saj një kohë të gjatë. Kam pasur oferta edhe jashtë Italisë, por nuk isha i interesuar për to. Në Itali ofertën më të mirë ma bëri Cesena", ka thënë Bogdani për mediat italaine.
"Trajneri i Cesenas më njeh mirë, pasi edhe te Verona ishim bashkë. Besoj se do të kem më shumë paraqitje se te Chievo. Kur luan rregullisht, edhe golat nuk mungojnë. Do të jap maksimumin që të shënoj sa më shumë për t'i ndihmuar Cesenas që të sigurojë ekzistencën në Serie A".
Bogdani kishte shënuar plot 17 gola për Veronën në edicionin 2004\05 të Serie B, kur trajner kishte trajnerin aktual të Cesenas, Massimo Ficcadentin. Cesena për herë të fundit në Serie A ka luajtur në edicionin 1990\91.
Edicioni 2010\2011 do të jetë i nënti i Bogdanit në Serie A. Ai vazhdimisht ka luajtur në skuadra të vogla që kanë luftuar për mbijetesë në Serinë A si Reggina, Siena, Chievo e Livorno. E njëjta situatë do të jetë edhe te Cesena. Në Itali, Bogdani, ka luajtur edhe tre sezone në Serie B.
"Për mua do të ishte nder i madh nëse ndihmoj Cesenan që të sigurojë qëndrimin në Serie A. Do të jetë jashtëzakonisht e vështirë lufta për mbijetesë, por besoj se do t'ia dalim. Kemi probleme me fondin e futbollistëve. Katër futbollistët kryesorë të skuadrës janë të lënduar", ka shtuar Bogdani.
Në Serie A, sulmuesi shtatlartë ka shënuar më shumë në edicionin 2005\06, ku me fanellën e Sienas ka realizuar 11 herë.
Bogdani ka folur edhe për kombëtaren e Shqipërisë. Ai shpreson se seria pozitive e regjistruar në ndeshje miqësore të vazhdojë edhe në eliminatore për "Euro 2012". Shqipëria më tre shtator takohet me Rumaninë, ndërsa pas katër ditësh pret Luksemburgun.
"Fakti se kemi fituar të gjitha ndeshjet miqësore ka ndikuar në ngritjen e moralit dhe të motivit para fillimit të eliminatoreve. Megjithatë, ndeshja kundër Rumanisë do të dallojë shumë nga ato miqësore. Përballë do të kemi një rival shumë të fortë. Kundër Luksemburgut fitorja është rezultati i vetëm i pranueshëm. Synojmë të marrim gjashtë pikë në dy ndeshjet e para".
Bogdani ka shënuar 12 gola në 52 ndeshje të luajtura me kombëtaren kuqezi.

(d.b/ATA/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›