Reali blen lojtarë me miliona dhe i shet për 100 euro!
MADRID - Real Madrid është njëri prej klubeve më të mëdha në botë, e ndoshta edhe më i madhi. Dëshminë e këtij statusi, gjiganti madrilen e jep pothuajse çdo verë, pas përfundimit të secilit sezon. Në vitet e fundit jo me tituj të fituar, por me blerjen e futbollistëve. Në 10 vitet e fundit, Real Madridi ka sjellë 48 futbollistë, ndërsa për blerjen e tyre ka shpenzuar më tepër se 1 miliard euro. Edhe pse jo të gjithë prej tyre kanë qenë përforcime të qëlluara e disa edhe javë larguar nga klubi pas vetëm një ose dy sezoneve të kaluara në Santiago Bernabeu dhe janë shitur shumë më lirë sesa ishin blerë (Ëesley Sneijder dhe Arjen Robben janë vetëm disa për t’i përmendur), por vështirë se një futbollist mund të largohet për një kompensim më të vogël se mesfushori Marcos Tebar.
Shitja
23-vjeçari, i cili mund të luajë edhe si qendërmbrojtës, është larguar nga Reali për te klubi nga Segunda Division, Girona. Fillimisht është për t’u habitur fakti për largimin e tij nga klubi, meqë konsiderohej si futbollist i cili premton, mirëpo nuk përfundon me kaq. Nga shitja e tij, sipas të përditshmes sportive spanjolle AS, gjiganti madrilen ka përfituar vetëm 100 euro. Tebar ka qenë pjesë e ekipit të Jose Mourinhos në turneun përgatitor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por me punën e tij duket se nuk e ka bindur strategun portugez. Mesfushori kaloi pjesën e dytë të sezonit të kaluar si huazim në Girona, ndërsa tani ka nënshkruar kontratë trevjeçare me klubin nga Liga e Dytë spanjolle. Në kontratën e tij të re është përfshirë dëmshpërblimi sipas së cilit ai mund të kthehet përsëri në Real (brenda dy viteve të ardhshme) nëse Girona nuk është e kënaqur me paraqitjet e tij.
Blerja
Më 31 maj 2009, Tebar kishte debutuar për ekipin e Realit, kur u paraqit në humbjen 1-2 në Osasuna, duke zëvendësuar një tjetër produkt të ekipit të rinjve, uruguaianin Gary Kagelmacher pas një ore lojë. Shifra e shitjes së tij në Girona duket absurde, duke pasur parasysh shpenzimet që ka bërë Reali në vitet e fundit. Gjiganti madrilen theu rekordin (i cili u takonte atyre) në përforcimin më të shtrenjtë në botë, duke paguar 94 milionë euro për blerjen e Cristiano Ronaldos nga Manchester United më 2009. Gjatë po atij viti, Reali bleu yllin brazilian Leite Kaka nga Milan për 68 milionë euro, sulmuesin Karim Benzema (35), mesfushorin Xabi Alonson (30) dhe qendërmbrojtësin Raul Albiol (15).
Femra hyn në fushë dhe rreh arbitrin e ndeshjes
PEKIN - Mendonim se kishim parë gjithçka në futboll, por nga Kina vjen “çmenduria” e fundit e kësaj loje. Një tifoze futbolli kineze është bërë protagoniste e një futjeje në fushë, duke goditur disa herë radhazi arbitrin e ndeshjes me anë të një shisheje plastike uji. Bëhej fjalë për një derbi të qytetit Dalian, në provincën verilindore të Liaoning. Në stadiumin e Liaoning Normal University përballeshin dy skuadrat e qytetit, Dalian Aerbin dhe Dalian Yteng, të dyja në kategorinë e dytë kineze. Skuadrat kanë një rivalitet historik mes tyre. Ndeshja përfundoi 2-0 për Dalian Yteng, por gjatë ndeshjes tifozeria kundërshtare akuzoi arbitrin dhe dy asistentët e tij se kanë vepruar në favor të skuadrës fituese, duke arbitruar në mënyrë të njëanshme ndeshjen. Në këto momente, një tifoze e Dalian Aerbin ka vendosur të hyjë në fushë dhe të lëshohet kundër arbitrit të ndeshjes.
Është dashur ndërhyrja e forcave të policisë, të cilat kanë bllokuar gruan përpara se të plagoste seriozisht gjyqtarin. Ajo u dërgua jashtë nga agjentët, ndërsa ndeshja u ndërpre për më shumë se 6 minuta.
Francë, ndëshkohen futbollistët për turpin e Botërorit
PARIS - Federata Franceze ka dënuar futbollistët rebelë të Kupës së Botës, duke dhënë pezullime tepër të rënda për Anelka, Evra dhe Riberi. Lojtarët janë marrë në pyetje për sjelljen e tyre në Botëror, ku ata u kthyen në qesharakë duke bojkotuar stërvitjen. Komisioni Disiplinor i Federatës Franceze ka vendosur të skualifikojë për 18 ndeshje të kombëtares sulmuesin Nikolas Anelka, për sjelljen e tij gjatë Botërorit të Afrikës së Jugut. Pas një mbledhjeje të gjatë të zhvilluar ditën e martë, ku janë dëgjuar disa nga pjestarët kryesorë të ekipit francez në Kupën e Botës, Federata ka vendosur të ndëshkojë të gjithë rebelët që bojkotuan stërvitjen dhe dolën kundër trajnerit. Por, Anelka nuk ishte i vetmi i dënuar. Kapiteni Patris Evra është skualifikuar për 5 ndeshje nga kombëtarja, ndërsa zëvendës kapiteni Frenk Riberi 3 ndeshje. Një ndeshje është pezulluar Zheremi Tulalan, ndërsa i ka shpëtuar dënimit Erik Abidal. Kombëtarja franceze u kthye në qesharake gjatë Kupës së Botës. Në pushimin e ndeshjes me Meksikën, Nikolas Anelka shau rëndë trajnerin Rajmond Domenek dhe fjalët e tij u publikuan në media të pacensuruara. Sulmuesi u pezullua dhe kjo çoi në një kryengritje të futbollistëve të tjerë, të cilët bojkotuan stërvitjen. Kjo situatë çoi deri në ndërhyrjen e presidentit Nikola Sarkozi, i cili ngriti edhe një Komision Parlamentar për të zbardhur shkaqet e këtij turpi me një prej kombëtareve më të rëndësishme të botës.
Zyrtare: Mesut Ozil është lojtar i Realit
MADRID - Gjiganti spanjoll, Real Madrid, ka konfirmuar në faqen zyrtare se ka kompletuar transferimin e mesfushorit gjerman, Mesut Ozil. Klubi mbretëror spanjoll nuk ka dhënë detaje për transferimin e bërë, por flitet për një shumë prej 15 milionë eurosh. Ozil ka nënshkruar kontratë 6 vjeçare, ndërsa do të fitojë 5 milionë euro për sezon. Ky transferim paraqet një lëvizje tjetër të jashtëzakonshme të Real Madridit në afatin kalimtar veror dhe madrilenët mund ta quajnë tani skuadrën e tyre të kompletuar. Ozil kaloi nga Schalke të Werderi në vitin 2008, ku shënoi 13 gola në 60 paraqitje. Mesfushori tregoi paraqitje të jashtëzakonshme gjatë Botërorit, që bëri që e tërë Evropa të jetë në kërkim të tij, por pesha që bart Reali si klub e bëri të vetën tek Ozil, që refuzoi edhe kampionin e Evropës, Interin. Testi mjekësor pritet të bëhet nesër, ndërsa prezantimi para mediave brenda kësaj jave.
Bunjaku gol në fitoren e Nurnbergut në Kupë
NUREMBERG - Albert Bunjaku kontribuoi me gol të dielën në fitoren e Nurnbergut me rezultat 2:0 ndaj Eintracht Trier, në kuadër të Kupës së Gjermanisë. Sulmuesi kosovar shënoi një gol të shkëlqyeshëm në minutën e 15-të, sa që i la gojëhapur dhe të befasuar të gjithë shikuesit në stadium. “Nuk ishim dhe aq të sigurt në 30 minutat e parë, por më pas e morëm veten. Një gjë e tillë nuk guxon të na ndodhë. Unë shënova një super-gol. Mendoj se tifozët kanë menduar që topi nuk kishte hyrë në portë, sepse reaguan shumë vonë...”, tha 25 vjeçari i cili luajti gjatë gjithë ndeshjes. Golin e dytë të Nurnberg e realizoi Ekici në minutën e 89-të të takimit. Sezonin e kaluar reprezentuesi zviceran, Bunjaku, ishte lojtar kryesor i Nurnbergut me 12 gola. Gjilanasi edhe në këtë sezon pritet të bartë barrën kryesore te klubi nga elita e futbollit gjerman.
Konfirmon largimin e Ben Arfa
MARSEJË - Trajneri i Olympique Marseille, Didier Deschamps, në njëfarë mënyre e ka konfirmuar largimin e futbollistit ofanziv, Ben Arfa, i cili i ka prishur punët me kampionin aktual të Francës. “Ta rikthejmë futbollistin më duket e vështirë, kur e kemi parasysh sjelljen e tij. Është diçka negative, si për të ashtu edhe për ekipin. Kam bërë shumë për të. Ai ka talent, por kjo nuk mjafton. Kam folur shumë me futbollistin, të cilit i uroj ta ketë një karrierë të mirë”, tha Deschamps për të përditshmen franceze, ‘L'Equipe’. Ish-futbollisti i Lyon nuk është ftuar në ndeshjen e parë të Ligue 1. Ai besohet se do të kalojë në skuadrën e Milanit.
Operohet mbrojtësi i Milanit, Alesandro Nesta
MILANO - Mbrojtësi i Milanit, Alessandro Nesta është operuar me sukses pasi ka thyer dorën në takimin kundër Juventusit për trofeun “Tim”. Mirëpo, skuadra e Milanit i ka qetësuar tifozët e këtij klubi, duke njoftuar nëpërmjet një komunikate për media se mbrojtësi italian do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë të sezonit të ri në Serie A. Milan, në takimin e parë më 29 gusht ku do të ndeshet me skuadrën e Leçes.
18 Gusht 2010