E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr mes grave, 50-vjeçarja plagos fqinjën dhe burrin e saj



DURRËS - Një sherr banal midis dy grave ka përfunduar me përdorimin e armës së ftohtë. Ngjarja ka ndodhur në Durrës. Burime nga Policia e qytetit bregdetar thanë se një grua 42-vjeçare është dërguar në spital pas goditjes me thikë nga një fqinjë e saj. Ngjarja ndodhi në plazhin e Durrësit, pranë Rrotës së Kuqe, paraditen e djeshme. Mësohet se sherri mes dy fqinjave nisi për hedhjen e mbeturinave nga katet e sipërme të një pallati, në pjesën e përparme të godinës që dikur shërbente për kabina pushimi dhe pas viteve '90 shërbeu për strehimin e familjeve të pastreha. Ky ka qenë shkaku që ka sjellë dhe përplasjen mes dy fqinjave që përfundoi me dy të plagosur, si dhe shoqërimin e autores në polici.
Sherri
Ka qenë një zënkë për hedhjen e mbeturinave shkaku i konfliktit mes 50-vjeçares F. Ferri dhe fqinjës së saj 42-vjeçare me inicialet A. M. Pasi janë zënë me fjalë, 50-vjeçarja ka shkuar në shtëpinë e saj dhe nga andej ajo ka dalë me një thikë në dorë. Sapo ka parë skenën, ka ndërhyrë dhe bashkëshorti i Ferrit. Ai ka tentuar që të ndalojë gruan e tij, por ajo e ka qëlluar të parin atë. Siç është mësuar nga të dhënat e policisë, burri ka marrë plagë në kokë dhe në krah dhe është dërguar me urgjencë në spital. Më pas 50-vjeçarja F. Ferri ka goditur me thikë duke e plagosur 42-vjeçaren, fqinjë të saj, me iniciale A. M. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:50 të ditës së djeshme, pas një konflikti të nisur mes dy grave për çështje pronësie, ku ka ndërhyrë bashkëshorti i njërës prej tyre për t’i ndarë, pasi ka parë që e shoqja ka marrë një thikë në dorë.
E plagosura
Sipas burimeve të policisë, 42-vjeçarja A. M. është dërguar menjëherë në Spitalin rajonal të Durrësit dhe pas ndërhyrjes së mjekëve ndodhet në repartin e reanimacionit, jashtë rrezikut për jetën. Policia ka shoqëruar në komisariat 50-vjeçaren T. Ferri, e cila, sipas bluve, dyshohet të ketë probleme me shëndetin mendor. Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e mjaft pushuesve që ndodheshin në zonën e plazhit në momentin e sherrit. Ngjarja është klasifikuar si një plagosje e lehtë për motive të dobëta dhe policia ka bërë shoqërimin e autores.

U mor peng për një vajzë, policia arreston dhe dy autorët
KAVAJË - Kanë rënë në pranga pengmarrësit e tjerë të ngjarjes së ndodhur në datën 5 gusht në Kavajë, ku katër të rinj morën peng një bashkëmoshatar dhe një vajzë, të cilët i rrahën dhe i mbajtën peng disa orë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës kanë bërë të ditur se dje, nga efektivët e Komisariatit të Policisë Kavajë, është bërë arrestimi i dy personave në kërkim. Në pranga kanë rënë: Haxhi Xhihani, 23 vjeç dhe Marjus Xhihani, 31 vjeç, të dy banues në Kavajë. Sipas policisë, këta dy persona akuzohen për konsumim të veprës penale të “heqjes së paligjshme të lirisë”. Të sipërcituarit ishin shpallur në kërkim me datë 5 gusht 2010.
Ishte ora 00:15 e datës 5 gusht 2010 kur 21-vjeçari Ermal Matraxhi ndodhej në automjetin e tij së bashku me të dashurën e tij, me të njëjtën moshë. Në ato momente kanë kaluar dy vëllezërit, Ervin dhe Halit Kola, përkatësisht 34 dhe 36 vjeç, Haxhi Shihani, 22 vjeç dhe Marjus Kola, 21 vjeç, të cilët ishin duke udhëtuar me një automjet tjetër. Sapo kanë parë që vajza ndodhej në krahët e të dashurit të saj, ata kanë hapur derën e makinës, i kanë nxjerrë zvarrë dhe më pas i kanë futur dy të rinjtë në automjetin që po udhëtonin vetë. Më pas i kanë shpënë pranë ullishtave. Burime nga Policia e Kavajës kanë bërë me dije se katër të rinjtë kanë nisur ta rrahin barbarisht 21-vjeçarin, ndërsa vajzën e kanë qëlluar me shpullë. Pas kësaj ngjarjeje ata janë larguar menjëherë. Ka qenë vajza që ka lajmëruar policinë, e cila ka bërë të mundur dërgimin menjëherë në spital të të riut, i cili ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

Sherr mes vëllezërve, plagoset me çifte 40-vjeçari
TIRANË - Sherr mes vëllezërve, një i plagosur dhe një në pranga. Policia e Tiranës ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se ka rënë në pranga një 23-vjeçar. “Nga specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit është bërë arrestimi në flagrancë i Olsi Dinit, 23 vjeç, banues në Pezë, Tiranë”, - thanë burimet zyrtare të Policisë së kryeqytetit. Sipas tyre, arrestimi është realizuar sepse tri ditë më parë, rreth orës 17:00, për motive të dobëta, në komunën Pezë, dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu vëllanë e tij, 40-vjeçarin Blerim Dini, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak në Tiranë në gjendje të rënduar shëndetësore. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar uniformat blu që kanë nisur hetimet. Sipas të dhënave të para dhe dëshmive të marra nga familjarët dhe dëshmitarët që kanë qenë në momentin e sherrit, gjithçka kishte nisur pas një zënke për motive banale. Pas zbardhjes së ngjarjes policia ka mundur të vërë në pranga 23-vjeçarin e dyshuar si autor të krimit. Burimet zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se dosja me materialet hetimore të përpiluara nga ngarkim të tij i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për konsumim të veprës penale të “plagosjes së rëndë me dashje”.

Zihen në lokal, dy vëllezër plagosen rëndë me thika
TIRANË - Dy vëllezër kanë mbetur të plagosur rëndë pas një grindjeje me thika me disa moshatarë në një lokal në Tiranë. Ngjarja u shënua rreth orës 19:00 të ditës së djeshme, në rrugën “Vasil Shanto”, në një bar-kafe. Dy vëllezër të moshës 20-24 vjeç, emrat e të cilëve ende nuk bëhen të ditur, kanë mbetur të plagosur rëndë nga plagë të shkaktuara me mjete të forta, thika, nga persona ende të paidentifikuar. Dy vëllëzërit janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, nga ku konfirmohet dhe gjendja e tyre tepër e rëndë për jetën. Policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje, ka marrë në pyetje dëshmitarë që mund të kenë parë ngjarjen. Ende nuk ka autorë të identifikuar për plagosjen e dyfishtë. Dyshohet se plagosja erdhi pas një grindjeje të çastit.

Hidhet nga 4 metra për t’u vetëvrarë, shpëton vajza e re
DURRËS - Me dëshirën për t’u vetëvrarë, një 20-vjeçare është hedhur nga katër metra lartësi duke marrë plagë në trup. Burime nga Policia e Durrësit bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi dy ditë më parë, rreth orës 15:45 të pasdites, në mbikalimin e këmbësorëve pranë Shkëmbit të Kavajës. 20-vjeçarja nga Skrapari me iniciale E. R., banuese në Tiranë, është hedhur me dëshirën e saj nga një lartësi prej gati katër metrash në mbikalimin e këmbësorëve. Nga rënia në asfalt 20-vjeçarja ka pësuar dëmtime në trup dhe është dërguar menjëherë në Spitalin e Durrësit. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe uniformat blu për të hetuar rrethanat e ngjarjes. Megjithatë, në pritje të marrjes në pyetje të 20-vjeçares, e cila po mjekohet në spital, materialet për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes së mbetur në tentativë” i kanë kaluar Prokurorisë së Durrësit.

18 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›