E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani rrit "shënjestrën": Kievo mund ta mposhtë Milanin

Erjon Bogdani futet në fushë dhe ndeshja ndryshoi. Ndoshta ishte shumë vonë, por sulmuesi gjeti forcat që të ndizte shpresat e Kievos, për të marrë të paktën një barazim në sfidën me Barin. Kuqeziu e dërgoi topin në rrjetë, dueloi me kundërshtarët që bënin të pamundurën për ta ndaluar, por fati kishte vendosur që veronezët të humbitnin 2-1. Pas golit të dytë sezonal, 32-vjeçari kërkon të shohë përpara, duke vënë në shënjestër Milanin, kundërshtarin e ardhshëm të Kievos. "Mund t‘i mposhtim të gjithë, e kemi treguar edhe më parë. Në fundjavë kemi shanse të mira për të marrë tri pikët, edhe pse kundërshtari me të cilin do të përballemi është Milani. Nuk u trembemi atyre, nuk kemi pasur asnjëherë frikë. Kjo është një prej arsyeve përse Kievo vazhdon të luajë në Serinë A italiane", deklaroi kuqeziu. "Ndeshja me Barin? Nuk u treguam shumë të saktë, por mund të kishim barazuar. Gjyqtari nuk akordoi dy penallti për ne. Gjithsesi, ta harrojmë atë humbje: Milani është kundërshtari ideal për t‘u treguar të gjithëve që nuk jemi në vështirësi". Bogdani u aktivizua si zëvendësues, për shkak të lodhjes nga impenjimet me Kombëtaren. Trajneri Di Karlo është kritikuar për këtë zgjedhje taktike, pasi sulmuesi cilësohet si një prej pikave të forta të Kievos. Gjithsesi, ai kërkon të evitojë polemikat: "Nuk shoh ku qëndron problemi… Nuk jam vetëm unë në repartin ofensiv. Jemi një skuadër shumë e mirë, ku të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm dhe mund të japin kontributin e tyre për Kievon. Personalisht, sa herë që luaj mundohem të bëj maksimumin: nëse aktivizohem si zëvendësues, duhet të jap edhe më shumë. Për më tepër nuk kam asnjë problem me trajnerin. Gjatë sezonit të kaluar Di Karlo drejtoi ekipin drejt mbijetesës, edhe në këtë edicion kemi të njëjtin shpirt dhe të njëjtin motivim".

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›