Bogdani, sërish në balotazh për 11-shen
Duket se problemet për Erjon Bogdanin nuk kanë të sosur. Pas një viti shumë të lodhshëm në radhët e Kievos, ku në pjesën e parë të sezonit u degdis në stol nga trajneri i Kievos, në gjysmën e dytë ai e bindi teknikun Di Karlo t‘i japë një vend në formacionin e parë. Këtë besim të trajnerit ai e shpërbleu me paraqitje shumë të mira, duke i dhënë një ndihmesë shumë të madhe skuadrës në luftën për shpëtimin e rënies nga kategoria. Por duket se edhe ky vit nuk i ofron lehtësisht një bluzë titullari. Madje, sipas shtypit italian, atij do t‘i duhet sërish të luftojë shumë për të fituar bluzën e titullarit, pasi për momentin shikohet në balotazh me sulmuesin e ri, të ardhur pas një sezoni të luajtur në Serinë B me Triestinës. Bomberi shqiptar dhe Granoke konkurrojnë mes tyre për të venduar se kush do të jetë sulmuesi i dytë që do t‘i bashkëngjitet Pelisierit në repartin ofensiv.