Vllaznia eliminon Sligon, tani kundër Rapidit të Vjenës
Vllaznia barazon 1-1 me Sligo Rovers, por ky rezultat i mjafton për të siguruar biletën për në turin tjetër. Shkodranët dominojnë 45 minutat e para, duke krijuar disa raste që kanë ndezur disi atmosferën në "Loro Boriçi". Rasti më i pastër krijohet nga Kasapi, goditja e të cilit devijohet nga portieri mik, por topi shkon te Sinani, që nga një pozicion i mirë me portën e boshatisur nuk ka mundur të gjejë rrjetë. Irlandezët, edhe pse jo me aksione të rrjedhshme, arrijnë të përfitojnë nga nënvlerësimi i mbrojtjes kuqeblu dhe rrezikojnë katër herë portën e Bishanit. Madje në dy raste ishin shumë pranë golit, por vetëm fati e shpëton Vllazninë. Në minutën e 41-të Shtubina rikuperon një top në mesfushë, shtyn përpara përmes kundërshtarëve dhe lëshon një gjuajtje të zgjuar nga rreth 25 metra, që përfundon në rrjetë. Në minutat e fundit të kësaj pjese, Balaj humbet një mundësi të artë për të shënuar golin e dytë. Fraksioni i dytë i lojës është më pak tërheqës. Miqtë e Sligos bëjnë shumë pak për t‘iu kundërvënë rezultatit të disfavorshëm. Ndërsa Vllaznia duket sikur mendon për administrimin e rezultatit, edhe pse rrezikojnë me Sinanin, Balajn e Kasapin. Niveli i irlandezëve është "për të ardhur keq", por në minutën e 84-t gjejnë forca dhe barazojnë rezultatin 1-1 me Kin. Minutat e fundit prodhojnë ankth, por në fund gjithçka mbyllet 1-1 dhe Vllaznia meriton kualifikimin.