E Shtunë, 31 Tetor 2026

Josip Kuzhe kërkon yjet në miqësoren kundër qipriotëve

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, kërkon që në miqësoren e 12 gushtit me Qipron të ketë në dispozicion lojtarët më të mirë. Me këtë përballje, kundër përfaqësueses së ishullit të Afërditës, do të hapet zyrtarisht edhe sezoni i ri futbollistik në vendin tonë. Por, kroati 56-vjeçar e ka të qartë se nuk është e thjeshtë që kuqezinjtë të paraqiten me skuadrën më të mirë. Takimi është një mundësi e mirë për vëzhgimin e të rinjve dhe njohjen me formën fizike të titullarëve, por ai do të shërbejë edhe si përgatitje për sfidën e parafundit në Grupin 1 eliminator të Botërorit 2010, ku më 9 shtator në stadiumin "Qemal Stafa" vjen Danimarka. "Ndeshja me Qipron është një test gjeneral mjaft i rëndësishëm në këtë fillim sezoni. Objektivi im është që të grumbulloj futbollistët më të mirë, edhe pse më duhet të pranoj se do të jetë e vështirë për t‘u realizuar", deklaroi Kuzhe. "Fakti është që kjo miqësore zhvillohet në momentin kur fillojnë kampionatet, ose kur skuadrat europiane janë në kulmin e përgatitjeve dhe për disa futbollistë nuk do të jetë e lehtë të paraqiten. Klubet e tyre mund të mos i lejojnë të grumbullohen në Kombëtare, në një moment kaq të rëndësishëm. Gjithsesi, shpresoj se do të kemi sa më shumë përgjigje pozitive". Gjatë ditës së djeshme, trajneri ka ndjekur paraqitjet e ekipeve shqiptare, të cilat ishin të impenjuara në ndeshjet e dyta të turit të parë eliminator në Europa League. Për 45 minuta Kuzhe qëndroi në tribunën kryesore të stadiumit "Qemal Stafa", ku vëzhgoi sfidën e Dinamos me finlandezët e Lahtit, ndërsa më pas ai është ulur përpara ekranit të "SuperSport", ku ndoqi edhe takimin e Vllaznisë me irlandezët e Sligo Rovers.

Por, prej humbjes së pafat 2-1 me Portugalinë më 6 qershor, "timonieri" i Kombëtares nuk ka qenë vetëm me pushime. Ai udhëtoi drejt Peskarës, për të ndjekur përfaqësuesen U-20 në Lojërat XVI Mesdhetare. "I ndoqa të dyja ndeshjet e kësaj përfaqësuese në ‘Peskara 2009‘ dhe shpresoja që ata të arrinin rezultate pozitive", pohoi Kuzhe. "Gjithsesi, nuk kanë shumë rëndësi rezultatet, por loja e skuadrës dhe evidentimi i elementëve me të ardhme premtuese, të cilët mund të fitohen nga përfaqësuesja. Kishte futbollistë me potencial, por realisht ata kanë nevojë për shumë punë për t‘u ngritur në nivele të larta". Pa përmendur emra, ai nënvijëzoi sitën nëpërmjet të cilës këta sportistë duhet të kalojnë për t‘u bërë pjesë e Kombëtares "A": "Më pëlqyen 2-3 lojtarë, që në të ardhme mund të japin kontribut për Shqipërinë. Gjithsesi, po flasim për futbollistë 20-vjeçarë, ose ndoshta edhe më të vegjël, që më parë duhet të konfirmojnë kualitetin e tyre në Kombëtaret e moshave. Ndoshta në të ardhme ata mund të marrin një thirrje në ekipin e parë". Kroati ka hedhur edhe baza të forta për bashkëpunimin me trajnerin Artan Bushati, ku janë përqendruar te përzgjedhja e lojtarëve, programi i skuadrave dhe menaxhimi sa më i mirë i tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›