E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani, te çezena për të rilindur

Bomberi zhvilloi dje stërvitjen e parë me ekipin e ri, me të cilin synon realizimin e objektivave të sezonit në Serinë A. 32-vjeçari pohoi për mediat se kalimi te çezena ishte lëvizja e duhur, duke theksuar se shpreson të rigjejë jo vetëm formën, por edhe golin e munguar në elitën e futbollit italian. Gjatë dy sezoneve të fundit ai ka shënuar vetëm tre gola me fanellën e Kievos.

“Sigurisht që aventura te Kievo nuk ishte më e mira e mundshme, megjithatë jam i kënaqur për atë që kam bërë për atë ekip. Fakti që jam transferuar në një skuadër të Serisë A, do të thotë shumë. Jam në një moshë kur duhet të shfrytëzoj çdo shans që më jepet. Seria A ka mbetur gjithnjë prioriteti im, pasi prej vitesh luaj këtu dhe nuk dua të largohem nga ky kampionat. Jam i bindur se do të bëjmë mirë. Nëse luaj rregullisht dhe nëse skuadra bën lojë sulmuese, sigurisht që do të jetë më e thjeshtë për t’u rikthyer te goli”, u shpreh Bogdani.

Në këtë ekip Bogu gjen edhe trajnerin Masimo Fikadenti, i cili e njeh mirë, pasi të dy kanë punuar bashkë edhe te Verona në Serinë B, në atë që cilësohet si sezoni i shkëlqyer i shqiptarit në futbollin italian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›