E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdanovic: Serbët shpërfillën thirrjet për bojkot

BEOGRAD- Serbia e pranon se iku koha kur Beogradi u jepte direktiva serbëve të Kosovës, pasi mjaft serbë votuan në zgjedhjet e së dielës, pavarësisht thirrjes për bojkot. Këtë shqetësim e ka shprehur ministri i Kosovës në Serbi, Goran Bogdanovic. Ai i është përgjigjur kritikave që janë bërë në Serbi për qëndrimin zyrtar të Beogradit në lidhje me zgjedhjet në Kosovë.
“Ne nuk drejtuam një antifushatë, nuk kërcenuam askënd. Ndoshta më pak serbë do të kishin votuar nëse vepronim si paraardhësit tanë” tha ministri Bogdanovic, ndërsa shtoi se ministria e tij vetëm i dha rekomandime serbëve të Kosovës se nuk kishte asnjë arsye që ata të votonin në këto të ashtuquajtura zgjedhje.

“Sidoqoftë disa serbë votuan, pasi ata menduan se kjo do ti ndihmonte në përmirësimin e situatës së tyre ekonomike dhe në mbijetesën e tyre në zonat ku banojnë. Eksperienca na ka mësuar se autoritetet e Prishtinës nuk kanë bërë asgjë për të përmirësuar jetën e komunitetit serb në Kosovë. Ata duan vetëm që serbët të marrin pjesë në zgjedhje si dekor, në mënyrë që të thonë se serbët morën pjesë” u shpreh Bogdanovic.
Ai akuzon autoritetet kosovare se bënë gjithçka në këto zgjedhje që nga manipulimet e deri tek ryshfetet vetëm për ti quajtur këto zgjedhje të suksesshme. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›