E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdanoviç: S' heqim barrikadat, serbët shpërndajnë afishe në veri

MITROVICE- I ashtuquajturi ministër për Kosovën në qeverinë serbe, Goran Bogdanoviç, deklaron se “serbët do të qëndrojnë në barrikadat e tyre “derisa doganierët shqiptarë do të jenë në pikat në Bërnjak dhe Jarinje”.

“Barrikadat janë mënyra e vetme për të shprehur protestën ndaj akteve të njëanshme të Prishtinës...Serbët e veriut të Kosovës janë të vendosur të mbrojnë interesat e tyre, dhe nuk duan që veriu i Kosovës të jetë nën kontrollin e Prishtinës”- citohet të ketë thënë Bogdanoviç për mediat serbe.
I ashtuquajturi ministër për Kosovën, në Beograd ai ka shtuar se Serbia pret përgjigje nga Brukseli për “iniciativën e saj për zgjidhjen e problemeve në Kosovë".

Bogdanoviç e ka përkufizuar situatën “si kryesisht të qetë, por me tensione”. I pyetur për afishet e KFOR-it, sipas të cilave bllokada e rrugëve nuk është mënyrë për të shprehur protestën, Bogdanovic ka thënë se “barrikadat janë mënyra e vetme për të shprehur protestën ndaj akteve të njëanshme të Prishtinës”.

SERBET I PERGJIGJEN KFOR ME AFISHE
Ndërkohë që gjatë gjithë natës serbët kanë vazhduar të qëndrojnë pranë barrikadave në Rudare dhe Zupç. Ata kanë shpërndarë mbrëmë afishe nëpër rrugët e veriut, ku thuhet se ”sipas rezolutës 1244 Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë, nuk ka dogana të Kosovës dhe as kufij. Sipas tyre, bllokada e rrugëve pasqyron pakënaqësinë e popullatës serbe për shkak të Doganave të Kosovës. “Më mirë të mbrohemi me bllokada dhe barrikada sesa me rezistencë të armatosur, ndërsa ju zotërinj të KFOR-it mendoni nëse ne kemi të drejtë”, thuhet në këto afishe të cilat vijnë si përgjegjje ndaj KFOR-it, i cili ka shpërndarë dje pasdite afishe nga ajri për banorët e katër komunave veriore, ku thuhet se KFOR-i është përgjegjës për garantimin e qarkullimit të lire dhe bllokimi i rrugëve paraqet rrezik për të gjitha situatat e jashtëzakonshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›