E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sali Shijaku, Imazhe të fuqisë folklorike

TIRANE-Një piktor, me potenciale krijuese të fuqishme është Sali Shijaku, që përpunoi një sistem origjinal perceptimi figurativ. Në një periudhe të krijimtarisë, ai e drejtoi fokusin tematik në trajtimin e subjekteve duke u bazuar në elementë të fuqishëm folklorik dhe etnografik. Në këto vite ka realizuar një radhë veprash, ku eposi kreshnikëve, dhe legjendat për herë të parë marrin përfytyrime reale ku simbolika mbart imazhe figurative të fuqishme. Në artin Shqiptar gjenden disa forma dhe mënyra perceptimi dhe zbërthimi të atyre elementeve që e bën reale lidhjen e artit pamor me artin popullor. Kjo duket në:
1.Trajtimin e subjekteve të folklorike dhe etnografike
2.Trajtimin e subjekteve,historike dhe aktuale, duke u përqendruar vetëm në elemente të ndryshëm folklorik dhe etnografik.
3. Trajtimin e ngjarjeve dhe figurave legjendare, në memorie folklorike.
Ne qoftë se Zef Shoshi jep me realizëm të thellë, përfytyrime të një realiteti ku njerëz reale në kohë reale, vendosin marëdhënje me etnografinë popullore, Sali Shijaku, ka një kuptim dhe koncept tjetër. Perceptimet dhe imazhet e tij marrin fuqi artistike, ndërsa simbolika afron përfytyrimin popullor përmes analizës folklorike në referencë etnografike. Ndërsa marrëdhënien me artin popullor e ka parë, jo si një marrëdhënie organike, por si moment etnografik. Ai ka synuar të depërtojë në thellësi duke arritur të zbërtheje kodet dhe simbolikat që mbart pasuria folklorike Shqiptare. Në mënyrë origjinale arriti në strukturën e brendshme të saj. Si një artist me shprehi dhe aftësi të larta profesionale, ka arritur të përpunojë mjeshtërisht, mjetet shprehëse, duke shndërruar imazhet reale figurative në simbolika me fuqi frymëzuese. Duke u thelluar në përpunimet ideo estetike të folklorikës shqiptare krijoi një numër veprash interesante që përcjellin perceptime frymëzuese. Nga ky këndvështrim materiali folklorik si burimi shpirtëror i një populli, ka në themel thesare vlerash. Këto thesare padyshim nuk janë të dukshme, nuk janë fizike, ato ekzistojnë në vetë shpirtin e folklorit. Pavarësisht kësaj, Sali Shijaku, ka ditur t’i, fokusojë dhe kthejë në imazhe të forta, konkrete, që transmetojnë jo vetëm vlera, por dhe simbole të fuqishme. Nga tregimi gojor dhe nga imazhe virtuale që transmetojnë, tregimet, gojëdhënat, këngët, poezitë, folklorike përrallat, eposi kreshnikeve etj, në pikturën e Sali Shijakut, janë kthyer në imazhe, figura perceptuese vepruese. Në këto vepra është ndërtuar një sistem ku figurat konturohen në formë virtuale reale të perceptueshme për të gjithë, por njëherësh përmbajnë konceptime mitologjike legjendare. Në këto vepra, fantazia nuk ka limite logjike. Pikërisht në këtë moment, Sali Shijaku, gjen mundësinë të modelojë personazhet e veprave të tij. Kjo mënyrë e veçantë konceptimi e veçon veprën e tij në formë artistike dhe përmbajtje ideo estetike. Një periudhë e veprës së tij, është mbushur me personazhe kreshnikësh, që vinin nga eposi dhe legjendat. Nga kjo mënyrë e të menduari si një artist vlerash, arriti të ndryshojë konceptin figural të pikturës shqiptare të kohës së socializmit. Pikërisht se diti të mbështesë fort artin në një terren përfytyrimesh, fantazish, perceptimesh, hiperbolash, tregimesh, ngjarjesh të akomuluara nga mijëra vjet. Aftësia e tij abstraguese e afroi të lexojë dhe të zbërthejë kanune dhe kode përmes shenjave. Disa personazhe të veprave të tij, janë sikur vijnë nga botë ireale mitoligjike. Ai ka ditur të bashkërendisë, fantazinë folklorike, eposin e kreshnikëve dhe mitologjinë, në perceptimin artistik aktual. Në një periudhë të krijimtarisë së tij, kemi një frymëzim të fuqishëm nga figurat e spikatura dhe konkrete, të krijuara nga mitologjia, eposi kreshnikëve apo folklori popullor, duke u ekzaltuar nga perceptimi hiperbolik i figurave në legjendat popullore, që gjithsesi ishin dhe janë perceptime virtuale. Sali Shijaku, shkon drejt një perceptimi figurative duke i dhënë pamje dhe imazh konkret. Në këtë moment janë disa krijime në qeramikë që i realizon me vrull të madh emocional, frymëzues. Në njërën prej tyre, një pjatancë qeramike e pikturuar, ka një titull intrigues “Ka shkul Muji lisin me rrema, maje kralit ma ka vndue” pra është perceptimi folklorik, gojor që artisti kërkon ta konkretizoje në personazh konkret duke i dhënë përfytyrim poetik. Që në vitet e para Sali Shijaku, shfaq prirje të mbështetjes në vlerat dhe pasurinë folklorike. Madje edhe vepra me të cilën mbrojti diplomën, ndonëse ka subjekt historik patriotik përdor dhe elemente etnografike.
Disa luftëtarë të udhëhequr nga Çerçiz Topulli, të rrethuar po u bëjnë ballë armiqve. Disa elementë të veshjes së tyre tradicionale si fustanellat, jelekët, të hapur krijojnë figuracion lartësues. Në këtë vepër, artisti e ka të qartë rolin e elementit etnografik. Që në këtë kohë nuk kemi pasqyrim realist të një etnografizemi të pastërt por gjejmë përpjekje për ta kthyer fustanellën në element simbolik. Më vonë tematika historike, do ta çojë qartësisht në pëlqim të kostumeve popullore, duke krijuar një tablo “Artileria e Skënderbeut” (1967), që është një vepër monumentale nga fryma dhe mënyra e kompozimit, duke abstraguar në përfytyrimin artistik e ngritur imazhin e figurave në hiperbolë fizike gati mitologjike.
Kjo përkon me veprimin e luftëtarit dhe me atë përfytyrim, që e përcjell fantasia popullore. Por ajo që të tërheq në këtë tablo është se percillen elemente të kostumit popullor me një forcë frymëzuese: guna e leshtë e zezë, tirqet e bardha me dekoracion të zi poshtë, opingat dhe çorapet e kuqe, që krijojnë një kontrast grafik me fuqi perceptuese.

Një tjeter tablo e njohur në artin shqiptar është “Mic Sokoli”(1976) që dallohet për një zgjidhje befasuese dinamike kompozicionale dhe shprehjen lartësuese figurative. Por në këtë vepër kemi një moment interesant të përdorimit të elementëve të veshjeve tradicionale si pjesë e mjeteve që pasurojnë komunikimin artistik. Me atë mënyrë siç është dhënë, ky luftëtar që me vrull është hedhur mbi topin armik, kërkon një perceptim figurativ lartësues, pra nuk mund të kemi një vërtetësi dhe natyralizëm të kësaj figure.

Në këtë rast kërkohet një koncentrim dhe gjuhë simbolike. Ka një zgjidhje për S.Shijakun, të cilën ka ditur ta shfrytëzojë me efektivitet maksimal artistik. Për këtë vepër ka eksperimentuar gjatë deri në përfundim të veprës, por them se intuita e tij nuk e gabon kur e kërkon zgjidhjen përfundimtare për të pasuruar dhe dhënë fuqi gjuhës artistike në lojën me veshjen tradicionale. Duke e konceptuar figurën e heroit si një shigjetë shpërthyese me duart e hapura me forcë, koka duket sikur ka hyrë në kraharor nga fuqia, ndërsa këmbët e hapura kanë krijuar një gjendje dinamike të zjarrtë. Në këtë rast në këtë pikturë për frymën e krijuar kanë rëndësi dhe elementet etnografik të përdorur me mjeshtëri artistike.
Jeleku i hapur që e merr furia e trupit që është hedhur mbi topin armik zbulon kraharorin, fytyra e tendosur pothuaj e futur në kraharor nga duken flokët përzhitura dhe ku dallon plisi i vogel, tirqet duken pak, por përmes trajtimit plastik nxjerrin në pah fuqinë e figurës. E ka konceptuar në një kompozim monumental, ku figura shihet nga poshtë dhe gryka e topit që shkon drejt e në kraharor. Veshja me elemente të saj në lëvizje i ka dhënë një gjallëri, fuqi dhe dimamikë unikale.
Një portret me frymë tipike legjendare është “Kreshniku” që e ka perceptuar si një përfytyrim real hiperbolik. Në çdo element kemi mbi natyrshmërinë e personazhit. Një fytyrë me sy të mëdhenj që janë gati të shpërthejnë, me mustaqe të rënda që hapen si krah zogu ndërsa qeleshja dhe guna e leshtë plotësojnë atmosferën. Pak elemente por të gjitha mbartin sintezë dhe simbolikë. Në këtë rast nuk kemi vetëm përdorim të elementëve etnografikë, por një perceptim folklorik të pastër.

Këtë koncept e përdor dhe në disa vepra të tjera siç janë “Rozafa” dhe “Nora e Kelmendit”. Vepra e parë bazohet mbi një legjende të murimit në kalanë e Rozafës. Në këtë rast shfytëzoi tregimin e një legjende për ta konkretizuar figurativisht. Vërtet bëri një zgjidhje të veçantë duke e ngritur këtë legjendë të njohur në përfytyrimin real të momentit më intrigues dhe të fortë emocionalisht. Gruaja po çon drekën dhe nuk e din se po shkon drejt mortit të saj. Kjo vepër nuk ka tregim është një moment i fortë dramatik. Gruaja është dhënë me një bukuri të qartë e veshur me një xhubletë, në kokë ka sofrën me ushqimin për burrin dhe dy vëllezërit e tjerë. Ajo ishte viktimë e thyerjes në besë. Mbi sofrën duket një kokë dashi e shpërfytyruar që zbulohet paksa, ku dalin në pah sytë e mëdhenj e të frikshëm.
Ndërsa gruaja e bukur me xhubletën fine ecën me elegancë dhe nur të veçantë pa e ditur se po shkon drejt një rruge pa kthim. Përgjithësisht veprat e këtij artisti janë produkt që mbështeten në etnografi dhe shpesh në subjektin folklorik, duke u rikthyer në shprehje lartësuese simbolike. Ato kanë brendi të fuqishme artistike dhe transmetojnë ndjesi dhe frymëzime të thella. Sali Shijaku nuk i vesh thjeshtë personazhet me kostume tradicionale. Dhe kjo nuk është një preference konceptuale. Thjeshtë elementët etnografikë i përdor në këtë periudhë për të formuluar një pikturë lartësuese ku figura mbart simbolika me fuqi abstraguese.

(d.b/Milosao/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›