E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bogu” rrëfen mungesën e gjatë në Serinë ASulmuesi kuqezi tregon për dëmtimin dhe raportet me trajnerët. “Do kthehem më i fortë e do shënoj gola. S’dua të iki nga Kievo”

Jetmir Halilaj (Parorama Sport) - Erjon Bogdani i mungon prej disa javësh skuadrës së Kievos, për shkak të një dëmtimi dhe mungesa e tij ka ndikuar së tepërmi te skuadra e Kievos. Këtë e ka pohuar edhe vetë trajneri i ekipit, Domeniko di Karlo, i cili ka thënë shpeshherë se sulmuesi shqiptar është shumë i rëndësishëm për skemat e tij. Pak ditë më parë tifozët e skuadrës veroneze kanë kritikuar ashpër stafin mjekësor, për rikuperimin e vonuar të Bogdanit. Ndërkaq, media italiane ka shpërndarë hipotezën se sulmuesi i Kombëtares shqiptare mund të largohet nga Kievo në muajin janar, madje me shumë mundësi, jashtë Italisë. Erjon Bogdani, në një intervistë për “Panorama-Sport”, ka sqaruar gjithçka, që nga çështja e dëmtimit, raportet e tij me trajnerin si dhe zërat e merkatos.

Ky sezon nuk ka nisur siç dëshironit. Fillimisht ish-tekniku i Kievos, Iakini, nuk ju jepte shumë hapësira, më pas u tha se pësuat një dëmtim të lehtë, por mungoni prej një muaj e gjysmë në fushat e lojës, me përjashtim të atyre pak minutave që luajtët kundër Sienës. Çfarë po ndodh?

Po, është e vërtetë. Ish-trajneri Iakini fillimisht nuk më kishte edhe aq në konsideratë. Ai mendonte se grupi i lojtarëve që ngjitën Kievon në Serinë A, mund të ishte në gjendje që të përballonte vështirësitë e këtij kompeticioni, por nuk ndodhi kështu. Më pas, tekniku u bind se unë mund t’i shërbeja skuadrës dhe se mund ta bëja më mirë rolin e qendërsulmuesit se sa Pelisieri, i cili nuk është qendërsulmues i mirëfilltë. Në këtë periudhë, kur fillova të aktivizohesha, pësova një dëmtim, që në fillim u duk sikur nuk do të më mbante gjatë jashtë fushave, por në fakt donte një periudhë të caktuar për t’u rikuperuar. Pas ndërrimit të trajnerit, kur erdhi tekniku di Karlo, ky i fundit më mbështeti dhe ma bëri të qartë që në fillim se loja e sulmit do të bazohej tek unë. Duke parë vështirësitë e skuadrës dhe përmirësimin fizik, vendosa të luaja kundër Sienës, por e kuptova se problemi që kisha te aduktorët dhe në rrëzë të kofshës, nuk ishin rikuperuar, ndaj stafi mjekësor më rekomandoi që të mos luaja për disa javë, me qëllim që të rikuperohem plotësisht. Për mua gjendja fizike është primare, ndaj nuk kam dashur të rrezikoj.

Tifozët kanë kritikuar stafin mjekësor të Kievos në lidhje me punën që kanë bërë për t’ju rikuperuar....

Po, e vërtetë është. Ata janë mërzitur, sepse fillimisht u tha se ishte një dëmtim i lehtë. Për të qenë të sinqertë, nuk bëhet fjalë për ndonjë dëmtim serioz, por është i bezdisshëm dhe do kohën e vet që të rikuperohet.

Keni humbur ndeshjet kundër Milanit, Interit dhe Juventusit dhe tani do t’ju duhet të mos luani as kundër Xhenoas. A ju vjen keq për këtë?

Sigurisht që më vjen keq. Sfida të tilla janë gjithnjë të rëndësishme dhe emocionuese. Megjithatë, unë nuk vë asgjë para shëndetit tim dhe nuk mund të rrezikoj me formën time fizike.

Trajneri Di Karlo ka thënë shpesh në media se ju jeni një lojtar shumë i rëndësishëm për skemat e tij, si janë raportet tuaja me të?

Shumë të mirë dhe shumë të drejtpërdrejta. Ma tha që në fillim se bëja plan në skemat e tij, por fatkeqësisht nuk kam mundur të luaj. Megjithatë, kam dy ditë që stërvitem me skuadrën dhe jam i bindur se shumë shpejt do të rikthehem në formë optimale. Ju e dini se kur jam mirë fizikisht, mund të jap shumë dhe mund të shënoj shumë gola.

Emri juaj ka filluar të qarkullojë që tani në merkato. Madje, në shtypin sportiv në Itali ka zëra se mund të largoheni në janar nga skuadra e Kievos. Është e vërtetë kjo?

Nuk e di. Unë kam edhe një vit e gjysmë kontratë me Kievon dhe ndihem shumë mirë këtu. Do të doja që të luaja në këtë skuadër dhe të mund të shënoja sa më shumë gola, sepse mendoj se problemet fizike thuajse kanë kaluar. Megjithatë, nuk e di se çfarë do të ndodhë. Ajo që mund të them me siguri është se, nëse do të largohem, këtë do ta bëj për të shkuar në një ekip më të mirë. Në këtë rast përjashtohet mundësia e huazimit. Kjo çështje është një kapitull i mbyllur për mua.

Flitet se mund të transferoheni jashtë Italisë?

Kam pasur disa oferta, por nuk u kam kushtuar shumë rëndësi, deri tani zgjedhja e parë mbetet Kievo.

Pushimet
Pas ndeshjes kundër Xhenoas, Bogdani do të vijë disa ditë në Tiranë për të qëndruar pranë familjes së tij. Megjithatë, brenda datës 24 dhjetor duhet të kthehet sërish në Verona, pasi skuadra nis grumbullimin dhe përgatitjet për fazën tjetër të sezonit. “Nuk kam planifikuar asgjë të veçantë për fundvitin, sepse nuk kam kohë në dispozicion”, ka thënë bomberi.

Kombëtarja
I pyetur, nëse aktivizimi i paktë deri në këtë fazë të sezonit, mund të ndikojë në Kombëtare, Bogdani ka thënë: “Nuk jam unë ai që vendos nëse duhet të grumbullohem, ose jo. Megjithatë, të gjithë lojtarët pësojnë dëmtime dhe të jeni të bindur se asnjë nuk dëshiron që të mos luaj. Gjithsesi, unë do të kthehem shpejt dhe keni për të parë që do jem në formë shumë të mirë”.

Rikthimi
Prej pak ditësh, Bogdani ka rifilluar stërvitjen bashkë me grupin në dispozicion të trajnerit Di Karlo. Nuk përjashtohet që ai të përfshihet në 18-she për ndeshjen e fundit të këtij viti, që Kievo do ta luajë përballë Xhenoas. Megjithatë, siç bën të ditur edhe vetë Erioni, formën e tij më të mirë pritet ta arrijë vetëm pas dy javësh. Pra, viti 2009 duhet ta gjejë “top” shtatlartin.

NUMRAT

1
milion euro në sezon ishte gati t’i ofronte një klub qipriot Erjon Bogdanit gjatë merkatos së verës, por bomberi kuqezi nuk pranoi të largohej nga skuadra e Kievos. Për të interesohen edhe gjermanët e Nyrenbergut.

8
ndeshje ka luajtur Bogdani gjatë këtij sezoni me Kievon, tri prej të cilave i ka nisur si titullar, ndërsa në pesë takime ka luajtur si zëvendësues. Ai nuk ka mundur të shënojë asnjë gol deri në këtë periudhë.

1.5
Qendërsulmuesi i Kombëtares shqiptare ka edhe një vit e gjysmë kontratë me Kievon. Bogdani nuk është aktivizuar rregullisht deri tani, për shkak të disa problemeve fizike që ka pasur. Ai ka thënë se është në fazën e fundit të rikuperimit.

Merkato. Projektohet Bonacoli në vend të tij

Kievo është në kërkim të një qendërsulmuesi dhe në janar mund të mbërrijë në radhët e verdhebluve, sulmuesi Bonacoli në formë huazimi. Ky është lajmi më i fundit që ka publikuar dje e përditshmja lokale e Veronës, “L’Arena”. Sipas kësaj gazete, pritet një largim i Bogdanit nga radhët e Kievos, i cili ende nuk ka mundur të shpalosë aftësitë e tij. “Gjithçka varet nga Bogdani. Nëse ai do të largohet, atëherë ka shumë gjasa që të vijë Bonacoli në formë huazimi. Ai nuk ka gjetur shumë hapësira te Sampdoria dhe Kievos mund t’i jepte një ndihmë të madhe. Por më parë duhet të sistemohet Bogdani, për të cilin ka disa oferta nga klube jashtë Italisë”, shkruhej në këtë gazetë.  

E Shtune, 20 Dhjetor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›