Bojaxhi: Basha në PD, katapultim i Berishës. Froni do ti kalojë kopjes së të atit, votoj Olldashin
I djathtë por i mënjanuar nga Partia Demokratike, Gjergji Bojaxhi, deklaron se disfata e thellë e kësaj partie në 23 qershor ishte votë ndëshkuese ndaj modelit Berisha dhe krizës ekonomike. Në një intervistë në RTV Ora News në emisionin “Tonight Ilva Tare”, anëtari i Këshillit Drejtues të PD tha gjithashtu se koalicioni me LSI ishte një kosto e madhe për forcën e djathtë më të madhe në vend.

Situata ekonomike ka ndikuar në humbjen e së djathtës. Ka qënë një votë edhe për të ndëshkuar dhe për të hequr kryeministrin Berisha nga pushteti. Partia Socialiste nuk ka shtuar mandatet e saj, ato i janë shtuar partive të vogla. Berisha nuk e lejonte të zhvillohej Partinë Demokratike dhe nuk e linte të modernizohej. Partia Demokratike u largua nga lufta kundër korrupsionit, gjë që ndikoi në rënien e mbështetjes së saj. PD-ja në mandatin e saj të dytë qeverisës nuk ishte në lartësinë e qeverisjes që pati performuar në mandatin e pare. Nuk isha dakord për koalicionin me LSI-në në vitin 2009, koalicioni e dëmtoi PD- në tha ai.
Bojaxhi e ka quajtur të nxituar garën e hapur në selinë blu për postin e kryetarit të PD, pasi në bindjen e tij kësaj partie i duhet të kalojë disa proçese për tu reformuar. Teksa ka bindjen se froni do kalojë tek kopja e të atit, që për të është zoti Basha, me shpirtin rebel nuk nguron të deklarojë publikisht votën e tij si anëtar i PD pro Ministrit Olldashi.
Dy njerëz kanë bërë koalicion me LSI, Basha dhe Berisha. Militantët e djathtë asnjëherë nuk ishin të qetë me koalicionin e LSI përgjatë 4 viteve. Ajo që zoti Olldashi po flet gjatë takimeve, po tregon se Basha është një nga modelistët e marrëdhënies me LSI, e ka moralin politik shumë më të ulët. Asnjë nga dy kandidatët nuk është shprehur se cfarë do të bëhet me të mënjanuarit. Të dy duan të kandidojnë në garë se janë me miratimin e zotit. Berisha. Nuk është cështja për të mënjanuarit apo jo, por kjo parti do ndryshojë në qasjen e saj për mënyrën si do ta bëjë politikën.Unë nuk kam parë arrogancë të drejtpërdrejtë nga Ministrat siç flitet, nëse po flasim për arrogancë politike është punë tjetër. Arsyet e rezultatit zgjedhor janë më komplekse. Shpesh herë mund të kesh një medim, e diskuton, edhe sikur mos të jesh dakord, pas disa ditësh fillon e bluan. Është vështirë të kesh një hibrid. Me rëndësi është nëse krijon një frymë të re, afrimi i të mënjanuarve kalon në plan të dytë. Unë do votoj për zotin Olldashi.Nuk kam asrye të shqetësohem për këdo që mund të fitojë garën, nuk u shqetësova as kur PD drejtohej nga zoti Berisha u shpreh Gjergji Bojaxhi.
Për të bërë diferencimin mes kandidatëve, anëtari i PD shkon dhe më tej në vlerësimet e tij, duke deklaruar se kryebashkiaku Basha është katapultim direkt i Berishës dhe familjarëve të tij. Më tej ai ka denoncuar dhe dënuar njëkohësisht influencën e familjarëve të kryeministrit Berisha në ekzekutiv.

Brenda PD ka një grup njerëzish që asnjëherë nuk kanë qenë në vendimarrjen e familjes së Kryeministrit. Varet kush do fitojë, kjo do tregojë dhe ndikimin e Berishës në të ardhmen. Olldashi ska qenë asnjëherë i rehatuar me këtë ndërhyrje në parti, Basha e ka ndërtuar karrierën e tij me këtë ndërhyrje. Unë me integritetin që kam në publik, nuk mund të gënjej ata që më dëgjojnë apo shikojnë. Që ka pasur ndërhyrje të qarta në ekzekutiv nga anëtarët e familjes së Kryeministrit Berisha, ka pasur. Ai ka qenë në dijeni, përgjegjësinë atij ja kam vënë për këtë fakt, që njerëzit që kontrollonte ti ndëshkonte nëse bashkëpunonin me ta për vendime që ai nuk ishte dakord. Sot me jetën që kemi , prindi smund të jetë përgjegjës për veprimet e fëmijës së tij. Unë me gjërat që kam administruar nuk kam lënë të ndërhyjë njeritha më tej Bojaxhi.
