E Diel, 1 Nëntor 2026

Kina pritet të investojë në Shqipëri në infrastrukturë, tregti, arsim, kulturë e transport

09-07-2013 / Gazeta 55

Zv/ministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Çollaku vizitë zyrtare në Kinë në kuadër të takimit të parë të Nismës së Bashkëpunimit Kinë- Vendeve të EQL


Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Çollaku, mori pjesë në Takimin e Parë të Përfaqësuesve të Pushtetit Lokal të Nismës së Bashkëpunimit Kinë – Vende të Evropës Qendrore dhe Lindore. Në datat 2-4 korrik 2013, në Chongqing të Kinës u zhvillua Takimi i Parë i Përfaqësuesve të Pushteteve Lokale të Nismës së Bashkëpunimit Kinë – Vende të Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL) dhe Panairi i Biznesit. Në këtë aktivitet Shqipëria u përfaqësua nga zv/ministri i Punëve të Jashtme, z. Kreshnik Çollaku, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar. Përveç tij, morën pjesë edhe përfaqësues të bashkive të Tiranës dhe Durrësit. Qëllimi i Nismës është nxitja dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes Kinës dhe 16 vendeve të EQL për të cilën qeveria kineze ka krijuar një fond prej 10 miliardë USD. Ky fond do të përdoret për financimin e projekteve të përbashkëta në fusha të ndryshme – infrastrukturë, tregti, arsim, kulturë, transport, etj. Vendet pjesëmarrëse paraqitën në takim lehtësirat, kapacitetet dhe strukturën e krijuar për thithjen e investimeve të huaja në përgjithësi dhe atyre kineze në veçanti, ndërsa në panair kompanitë e këtyre vendeve ekspozuan prodhimet me të cilat synojnë tregun kinez. Përveç prezantimeve, në aktivitet u zhvilluan paralelisht sesionet “Shkëmbimet kulturore e” (People to People, “Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme” dhe “Tregjet”.  Z. Çollaku, para një audience të përbërë nga pjesëmarrës në takim, nga student dhe përfaqësues të mediave vendase, në sesionin “People to people”, referoi mbi Shqipërinë, pozitën gjeografike, historinë e saj dhe ecurinë e vendit gjatë viteve të fundit. Më tej ai zhvilloi një takim me Z. Song Tao, Sekretar i Përgjithshëm i Nismës së Bashkëpunimit Kinë – Vende të EQL, njëkohësisht zv/Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës Popullorë të Kinës për çështjet e Evropës, me të cilin diskutuan mbi bashkëpunimin politik dhe ekonomik dypalësh dhe perspektivat e tij në të ardhmen. Z. Tao e informoi se planifikon të kryej një vizitë pune në Shqipëri brenda fundit të këtij viti. Në përfundim të Takimit, pjesëmarrësit dolën me një Deklaratë të Përbashkët, me anë të së cilës mbështesnin bashkëpunimin shumëplanësh midis vendeve të EQL dhe Kinës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›