Berisha: Vendimi për shtetësinë, tërësisht kushtetues - firma ime i tërboi albanofobët
Përgjigje e kryeministrit Sali Berisha për z. Luan Gacaferi: “Mazhoranca e ardhshme e denatyruar nga çdo ndjenjë kombëtare, ka tmerr ndaj çdo hapi që bashkon shqiptarët”
Kryeministri Sali Berisha i është rikthyer edhe njëherë vendimit të qeverisë për dhënien e shtetësisë për të gjithë shtetasit me origjinë shqiptare, me përjashtim të shqiptarëve të Kosovës. Në përgjigje të interesit të një qytetari, Kryeministri ka theksuar se vendimi per dhënien apo fitimin e shtetësisë fatkeqësisht është tejet i vonuar, pasi sipas tij vende të tjera të rajonit, përfshi fqinjët tanë ka vite që e kanë legjitimuar. Sipas tij një vendim i tillë mund të kundërshtohet dhe mosmirëpritet vetëm nga albanofobët jo shqiptare dhe shqiptare. Kryeministri tha se mazhoranca e ardhshme qeverisëse të denatyruar nga çdo ndjenjë kombëtare kanë tmerr ndaj çdo hapi që i afron e bashkon shqiptarët njëri me tjetrin. Vendimi i qeverisë për shtetësinë pritet të fillojë zbatimin 10 ditëshin e fundit të muajit Korrik. “I dashur z.Luan, faleminderit për pyetjen dhe komentin tuaj në rrjetin tonë social FB.
Në përgjigje të tyre sqaroj sa vijon:
Vendimi i qeverisë shqiptare për dhënien apo fitimin e shtetësisë shqiptare dhe te gjitha vendimet e kësaj qeverie janë plotësisht kushtetuese përveçse për ata të cilët revanshi i bën qesharak, madje i çon larg e më larg gjeri në Bangladesh dhe besojnë se nuk janë zgjedhur për një mandat 4 vjeçar, siç sanksionon Kushtetuta e Shqipërisë, por 4 vjet dhe tre muaj?! Kjo është punë e tyre. Vendimi për dhënien dhe fitimin e shtetësisë është vlerësuar lart nga shqiptarët kudo në botë por dhe siç dihet ai është pritur me tërbim të vërtetë nga albanofobët jo shqiptarë dhe shqiptarë. Këta të fundit të denatyruar nga çdo ndjenjë kombëtare kanë tmerr ndaj çdo hapi që i afron e bashkon shqiptarët njëri me tjetrin. Ata në çdo rast janë të gatshëm të bëjnë kauzë të përbashkët me albanofobët jo shqiptarë në mbështetje të këtyre të fundit. Kështu në rastin e rrugës së Kombit albanofobet jo shqiptarë përdorën të gjitha mekanizmat kombëtare dhe ndërkombëtare që kontrollonin për të mos e lejuar ndërtimin e saj, e cila sipas tyre do të dëmtonte thellë gjeopeshën e porteve të vendeve të rajonit. Në mbështetje të tyre shqiptare apatridë bënin çdo gjë për ta bllokuar rrugën dhe e shpallen atë si rruga e asgjëkundit. Por rruga u ndërtua, albanofobia dhe albanofobët nuk kanë të ardhme. Vendimi i fundit i qeverisë shqiptare për dhënien ose fitimin e shtetësisë është aq kushtetues saç është shqiptare Kushtetuta e Shqipërisë, e cila përcakton qartë detyrimet e shtetit shqiptar ndaj shqiptarëve kudo në botë.
Mirëpo albanofobet njohin vetëm një Kushtetutë, atë të fobisë dhe urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe midis tyre si për të më rikujtuar një proverb latin që thotë se, “çobani i bagëtive të egra është më i egër se vetë ato me të egrit”, më zelltarët janë shqiptarët apatrid. Vendimi i fundit i qeverise shqiptare për dhënien apo fitimin e shtetësisë fatkeqësisht është tejet i vonuar. Një vendim të këtij lloji për pakicat dhe bashkëkombësit e tyre e kanë marrë vite më parë pa përjashtim të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë si: Greqia, Hungaria, Maqedonia, Rumania, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi, etj. Madje Greqia, e ndofta ndonjë vend tjetër, paguan pensione të moshuarve me origjinë greke në Shqipëri. Mirëpo në këto vende nuk ka ose ka fare pak njerëz me fobira ndaj kombit të tyre si tek ne. Prandaj dhe askush nuk ka protestuar, në të kundërt kanë mbështetur unanimisht brenda dhe jashtë vendit vendime të tilla. Ju rikujtoj këtu se me dekretin e 17 korrikut të vitit 1992 unë si President Republike dekretova njohjen e shtetësisë shqiptare për të gjithë qytetarët me origjinë shqiptare kudo që jetonin përfshirë këtu edhe qytetarët Kosovës, e cila asokohe ishte pushtuar nga serbët. Presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova ishte plotësisht dakord me atë dekret. Sot ky vendim nuk mund te shtrije efektin ne Kosove jo sepse jugosllavistet albanofob vazhdojnë t’i bien fyellit të tyre të vjetër të padronëve të tyre të kombit kosovar, pra të dy kombeve shqiptarë. Këtë tezë në Kosovë, por as në rajon dhe më gjerë, nuk e beson njeri. Por vendimi i qeverisë shqiptare në kushtet e sotme kur Kosova është vend i pavarur me mbi 94% të qytetarëve të saj shqiptarë nuk mund të shtrijë kurrsesi veprimin e tij në Republikën e Kosovës dhe në qytetarët e saj me banim në Kosovë. Kjo detyrimisht kërkon një marrëveshje të veçantë midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës për këtë çështje. Si përfundim vendimi për dhënien ose fitimin e shtetësisë shqiptare është një vendim i bazuar plotësisht në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në standardet rajonale ndërkombëtare. Zbatimi i këtij vendimi do të fillojë gjatë dhjetëditëshit të fundit të muajit korrik”.