Partia Demokratike ngre 39 qendra votimi për zgjedhjet e 22 korrikut
“Të gjitha votat e procesit ‘një anëtar - një votë’, të dala nga zgjedhjet e brendshme të PD, do të numërohen nga një Komision Qendror Zgjedhjesh, që do të certifikojë rezultatin”
Partia Demokratike po organizon procesin teknik zgjedhor që do të jetë gati për datën 22 korrik, në të cilën do të zgjidhet kryetari i ri. Për administrimin e procesit zgjedhor, që nga ngritja e KQZ-së e deri tej qendrat e votimit të shpërndara aty ku PD-ja ka degë të saj janë ngritur paraprakisht 39 qendra votimi. Në regjistrin e PD-së figurojnë aktualisht 105 mijë anëtarë me të drejtë vote, të cilët do të marrin pjesë në votimin e kryetarit të ri të partisë pas dorëheqjes së kreut të saj, Sali Berisha. Kësisoj të gjitha votat, një anëtar një votë, të dala nga zgjedhjet e brendshme të PD do të numërohen nga një Komision Qendror Zgjedhjesh, që do të certifikojë rezultatin. Sipas burime, kjo KQZ është ngritur dhe do të funksionojë në selinë e partisë dhe përbëhet nga 7 anëtarë dhe dy ndihmës, që do të jenë anëtarë teknikë. Komisioni zgjedhor i PD-së do të kryesohet nga z. Gjergj Lezhja ndërsa anëtarë janë caktuar, Gazmend Dibra, Bahrije Isufi, Arben Ibro, Halit Shamata, Paulina Hoti dhe Genti Minarolli. Procesi i votimit do të asistohet nga dy anëtarët teknikë Florian Xhuti dhe Albert Avduli, zyrtarë të departamentit të organizimit në PD. Kjo zyrë ka përballuar procesin e regjistrimit dixhital të anëtarësisë së Partisë Demokratike dhe ka gjithë peshën e administrimit të zgjedhjeve për liderin e ri të demokratëve. Anëtarësia e demokratëve në mbarë vendin do të votojë më 22 korrik liderin e ri të PD-së, pas dorëheqjes së Sali Berishës nga postet partiake. Kryesia e PD-së në mbledhjen e fundit miratoi tri vendime: që kryetari i ri të votohet më datën 22 korrik përmes parimit “një anëtar një votë”, në garë të përballen kryebashkiaku Lulzim Basha dhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi si dhe të ngrihet një KQZ për numërimin e votave, në të cilën dy kandidatët të kenë anëtarët e tyre respektivë.