Bojaxhi emërohet në krye të Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar
Ka lënë pak kohë më parë pincat që ndërpreu lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike, për të ndjekur tashmë fadromën që do të prishë ndërtimet pa leje. Gjergj Bojaxhi është emëruar kryeinspektor i ri i Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar. Prezantimi i Bojaxhiut është bërë dje nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi. Situata është e tillë që nuk kemi më vetëm individë, qytetarë që ndërtojnë në mënyrë ekstraligjore, por kemi filluar së fundmi të kemi dhe institucione të pushtetit vendor që po abuzojnë me ligjin dhe po ndërtojnë në mënyrë të paligjshme, besoj që qëndrimi duhet të jetë i njëjtë ndaj të dyja palëve, ndaj shkeljes së ligjit janë njësoj si qytetarët si institucionet. Jam i bindur që z. Bojaxhi do ti japë përmasën e duhur Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, - tha Olldashi. Ndërsa Bojaxhi deklaroi se e shihte fenomenin e ndërtimeve pa leje si një kancer që vazhdon të deformojë hapësirat urbane në qytetet dhe fshatrat tona, si një evazion fiskal, i cili është i dukshëm dhe që rëndon drejtpërdrejt në arkat e pushtetit lokal.