E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujqit, me traktorë para Qeverisë

Federata e Sindikatës së Bujqve të Kosovës ka thirrur për nesër një protestë para Ministrisë së Bujqësisë, për të shprehur pakënaqësinë lidhur me gjendjen e keqe të bujqve.

Në këtë protestë do të marrin pjesë bujq nga e gjithë Kosova, në mënyrë të organizuar, me traktorë. Ata do të marshojnë deri te ndërtesa kryesore e Qeverisë dhe Parlamenti.

Tahir Tahiri, kryetar i Federatës së Sindikatës së Bujqve të Kosovës, ka thënë se protesta e nesërme mbahet me qëllim të pakënaqësive që kanë bujqit për gjendjen shumë të vështirë dhe se protesta nuk do të ndërpritet nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga Qeveria e Kosovës.

“Sindikata nuk e dëshiron protestën, nuk e dëshiron formën e presionit në formë proteste, nuk e dëshiron mirëpo kur Qeveria nuk e respekton dialogun, nuk respekton kërkesat atëherë ne jemi të detyruar të hyjmë edhe në protesta e cila do të jetë paqësore”, ka thënë Tahiri, transmeton KosovaPress.

Ndër kërkesat e bujqve janë ndarja e buxhetit 10 për qind të buxhetit të Kosovës për bujqësinë e Kosovës, të sigurohet subvencionimi i çdo hektari toke të punuar me nga 200 euro, të formohet një bankë për dhënien e kredive për bujqit dhe e cila do të kishte kamata të ulëta 3 deri në 4 për qind, ekstra subvencione për sektorin e qumështit dhe naftës.

Gjithashtu është kërkuar sigurimi i subvencionimeve për bujqit, nxjerrja e ligjit për ndalimin e uzurpimit të tokave, luftim i korrupsionit. Bujqit, po ashtu, kërkojnë, të ndalohet importi jolojal nga Serbia, të nxirret Ligji i Punës dhe ai për organizimin sindikal, sigurim shëndetësor dhe pensional për bujqit, të ketë sigurim të produkteve bujqësore, si dhe themelimi i një instituti shtetëror i cili do të bëjë analizat e tokave bujqësore në Kosovë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›