Bojkot votimesh në Kuvend
Deputetët socialistë kanë rikonfirmuar dje vendimin për të bojkotuar vendimmarrjen në procesin ligjvënës. Mbledhja e përjavshme e grupit parlamentar të selisë rozë ka konkluduar me mbajtjen e qëndrimit të deritanishëm, i cili ka vënë përballë në Kuvendin e Shqipërisë një opozitë që debaton dhe lufton ndaj nismave të shumicës, por që në finale refuzon të shprehet me votë. Shpresa e këtij aksioni të ndjekur ndoshta për herë të parë në jetën parlamentare shqiptare lidhet me rolin përcaktues që kanë votat e deputetëve socialistë për miratimin e ligjeve organikë apo atyre që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Për rrjedhojë, bojkoti fizik i socialistëve dhe tani bojkoti i vendimmarrjes e bën realizimin e reformave, që kryesisht janë proces legjislativ, peng të konsensusit pozitë–opozitë. Në kontekstin aktual, qëndrimi i PS-së jep një mesazh tjetër drejt Partisë Demokratike dhe drejtuesve të saj, ndaj të cilëve kërkohet lëshimi në negociatat për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit përkundrejt normalizimit të jetës parlamentare. Kjo ka rëndësi të merret në konsideratë dhe për këtë mjafton të kujtohet se vetëm për ligjin për gjykatën administrative ka disa vjet që kërkohet miratimi nga shumë faktorë të interesuar.
#