E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti, Rama takime me përfaqësues të Trojkës Europiane

Në takimet me dyer të mbyllura mes përfaqësuesve të Trojkës Europiane dhe kreut të PS Edi Rama, mësohet se temë e bisedimeve ka qenë bojkoti opozitës. Organizmat ndërkombëtarë janë shprehur disa herë pro hyrjes së PS në kuvend. 

TIRANE- Pas deklaratës së Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj Edi Rama për të vijuar bojkotin por mbi të gjitha për paraqitjen në kuvend të projektligjit për hetimin parlamentar në orët e pasdites në selinë e PS-së kanë mbërritur përfaqësues të Trojkës Europiane në Tiranë. Pak pas orës 17.00, i pari që ka hyrë në selinë e Partisë Socialiste ka qënë kreu i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan dhe pas tij dhe ambasadori spanjoll Manuel Montobio.
Rrreth orës 18.00 ka mbërritur dhe përfaqësuesja e Suedise në vendin tonë. Në takimet e zhvilluara me dyer të mbyllura ka qenë i pranishëm vetëm kreu i PS-së Edi Rama, ndërkohë që burimet jozyrtare bëjnë të ditur se temë e bisedës ka qenë bojkoti opozitës.
Komisioni Europian pritet të publikojë të mërkurën progres raportin mbi zhvillimet në Shqipëri, ku një ndër cështjet më të rëndësishme janë zgjedhjet e qershorit 2009 si dhe vendimi i socialistëve për të mos njohur këto zgjedhje.
Disa herë organizmat ndërkombëtarë janë shprehur pro hyrjes së Partisë Socialiste në kuvend, si mënyra më e mirë për të zgjidhur të vërtetën për zgjedhjet e 28 qershorit.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›