E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Vizat" PS: Qeveria dështoi me standardet

PS akuzoi sërish qeverinë për mos përmbushjen e standardeve për liberalizimin e vizave. Ilir Gjoni theksoi se rruga për të mundësuar heqjen e vizave mbetet përmbushja e standardeve dhe jo akuzat e pabaza në drejtim të PS. 

TIRANE- Partia Socialiste ka deklaruar sërish sot se qeveria Berisha-Meta ka dështuar me reformat që do të përmbushnin standartet për heqjen e regjimit të vizave për shqiptarët. Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Gjoni deklaroi përmes një konference për shtyp se PS bashkohet me qëndimin e raporteres Tanja Fajon për liberalizimin e vizave në Parlamentin Europian, ndërsa nënvizon se rruga për të mundësuar heqjen e regjimit të vizave mbetet përmbushja e standardeve dhe jo akuzat e pabazuara që vijnë në drejtim të opozitës.
“Partia Socialiste bashkohet me qëndimin e raporteres për liberalizimin e vizave në Parlamentin Europian Tanja Fajon se rruga për të mundësuar heqjen e regjimit të vizave mbetet përmbushja e standardeve dhe jo akuzat e pabazuara që vijnë nga tellallët e Berishës në drejtim të opozitës”, theksoi Gjoni.
PS vlerëson se asnjë nga masat e parashikuara për t’u zbatuar gjatë muajit shtator në cështjet që kanë të bëjnë me rendin publik dhe sigurinë sipas Planit të Veprimit të miratuar nga vetë Qeveria në korrik të këtij viti nuk është realizuar.
“Nuk është zbatuar Strategjia dhe Plani i Veprimit kundër Trafikut të Drogës. Nuk janë përmirësuar masat për aksesin në informacion mbi kapjen e drogës dhe personave të përfshirë në Pikat e Kalimit Kufitar. Nuk është amenduar ligji Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar. Nuk është zbatuar Strategjia Ndërsektoriale si dhe Plani i Veprimit Antikorrupsion. Nuk janë implementuar ende plotësisht rekomandimet e Këshillit të Europës (GRECO) për cështjet e korrupsionit. Nuk është forcuar ende sistemi i kontrollit të brendshëm dhe aktiviteteve antikorrupsion në administratën publike dhe organet e zbatimit të ligjit. Nuk është përforcuar bashkëpunimit ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit” theksoi deputeti socialist.
Gjoni sqaroi më tej se faktori pengues i procesit të liberalizimit të vizave në Shqipëri është, korrupsioni në veçanti, krimi i organizuar e varësia e drejtësisë nga pushteti.
“Integrimi i Shqipërisë në BE nuk bëhet as me propagandë boshe e as me letërkëmbime ministrore. Ai kërkon impenjim e përkushtim të tërë strukturave të shtetit për të forcuar administratën publike, duke pasur një gjyqësor të pavarur e të paanshëm, prokurorë të specializuar në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit”, nënvizoi Gjoni përpara mediave.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›