E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmeti, dy helikopterë në ndihmë të të pastrehëve

Tërmeti i djeshëm, që shkaktoi një sërë dëmesh në Qarkun e Dibrës ka ngritur në këmbë gjithë qeverinë, duke kaluar në gatishmëri strukturat përkatëse, ndërkohë që është mbledhur shtabi i emergjencës për të përballuar situatën. Dhjetë banesa janë shembur plotësisht, 164 të tjera pjesërisht, por fatmirësisht nuk ka pasur të dëmtuar në njerëz. Menjëherë ka reaguar Ministria e Brendshme, duke vënë në dispozicion dy helikopterë për të dërguar ndihma në Dibër për të pastrehët dhe të sëmurët, ndërkohë që janë ngritur 84 çadra për strehimin e tyre dhe janë dërguar mbi një ton ndihma, në dispozicion të situatës. Edhe pse për fat të mirë tërmeti nuk ka shkaktuar aq dëme sa u mendua fillimisht, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave në Ministrinë e Brendshme duke qenë në kontakt të pandërprerë edhe me Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Shëndetësisë, duket se ka marrë të gjitha masat për kalimin e kësaj situate. Ndërkohë, lajme jo të mira që vijnë nga shërbimi sizmologjik, sipas të cilit lëkundjet në këtë zonë do të vazhdojnë të paktën edhe 2 javë, ka bërë që shtabi i gatishmërisë, të llogarisë edhe më të keqen.

Situata e krijuar
Përfaqësues zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dje paradite gjatë një konference për shtyp deklaruan se rreth orës 23:49 të së dielës, sipas orës lokale është regjistruar një tërmet i fortë me magnitudë 5,2 shkalla Rihter, me epiqendër në koordinatat 41.51 veri dhe 20.50 lindje, epiqendër e cila i takon zonës midis fshatrave Shupenzë dhe Gjoricë e Sipërme, të Rrethit Bulqizë. Sipas të dhënave zyrtare, informacionet e para u paraqitën nga banorë të komunave: Gjoricë, Shupenzë, Ostren, Trebisht dhe Fushë-Bulqizë. Lëkundjet e tërmetit janë ndjerë gjithashtu në pjesën veriore të vendit, si dhe në zonën e Shqipërisë së Mesme përfshirë dhe Tiranën. "Menjëherë janë vënë në gatishmëri dhe lëvizje forcat e policisë së rendit dhe të Emergjencave Civile të Qarkut Dibër, duke verifikuar gjendjen e banorëve. Nga të dhënat e verifikuara ka rezultuar se nuk ka të lënduar në njerëz", deklaroi Ministria e Brendshme. Sipas të dhënave të mëtejshme, pas mbledhjes së parë të Shtabit të Përgjithshëm të Emergjencave Civile, zhvilluar dje në mesditë, rezulton se të paktën 164 shtëpi në rang qarku janë të pabanuara dhe shumë të tjera të dëmtuara. Ndërkohë, të dëmtuara janë dhe një qendër shëndetësore, 3 shkolla dhe 3 kabina elektrike. Më të dëmtuara, sipas përllogaritjeve të para, rezultojnë të jenë komunat në rrethet Bulqizë dhe Dibër. Sipas raportimeve të kryetarëve të komunave në rrethin e Bulqizës, në Gjoricë rezultojnë 64 shtëpi të pabanuara, ndërsa është dëmtuar qendra shëndetësore dhe shkolla Lubalesh në këtë komunë. Në Komunën Shupenzë llogariten deri tani 10 shtëpi të pabanuara, në Komunën Fushë-Bulqizë 3 shtëpi të pabanuara, në Komunën Ostren 1 shtëpi e pabanuar dhe dy shkolla të dëmtuara lehtë, ndërsa në Komunën Zerqan 9 shtëpi të pabanuara. Për sa i takon rrethit të Dibrës, siç është raportuar në mbledhjen e shtabit të emergjencës, dëmet më të mëdha janë shënuar në Komunën Maqellarë, ku llogariten 70 shtëpi të dëmtuara, shumica e të cilave të pabanuara. Në Komunën Luzni 4 shtëpi të pabanuara dhe dy kabina elektrike të dëmtuara, në Komunën Arras tri shtëpi të pabanuara dhe 1 kabinë elektrike e dëmtuar, kurse në Komunën Muhurr 9 shtëpi të pabanuara. Sipas raportimeve, dëme më të vogla janë regjistruar në rrethin e Matit, 1 shtëpi e pabanuar dhe në Bashkinë e Klosit tri shtëpi të dëmtuara.
Masat e marra
"Aktualisht është mbledhur Shtabi i Emergjencës Civile për Prefekturën e Dibrës në drejtimin e prefektit të këtij qarku. Në zonën e prekur nga dëmet është prezent zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në bashkëpunim me drejtuesit e pushtetit vendor po bën verifikimet e dëmeve të shkaktuara. Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale ka gati të gjithë ndihmën që do të nevojitet në materiale dhe ushqime për banorët e dëmtuar", deklaroi zyrtarisht në konferencë për shtyp Ministria e Brendshme. Ky institucion shtoi më tej se ka vënë në dispozicion dy helikopterë për transportin e të gjitha ndihmave që do të nevojiten. Sipas të dhënave zyrtare, nga informacionet e mbledhura në gjithë Qarkun e Dibrës, nga tërmeti janë shembur dhjetë banesa, ndërsa 164 banesa të tjera kanë pasuar dëmtime të pjesshme. Duke marrë shkak nga këto probleme, Ministria e Brendshme ka dërguar dje në Dibër, 84 çadra si dhe 1.2 tonë ndihma, ku përfshihen ushqimet, veshmbathje etj. Veç këtyre masave, në vendin ku ra tërmeti, duke shkaktuar një sërë dëmesh ka mbërritur edhe zëvendësministri, i cili po ndjek nga afër situatën. Gjithashtu, Poni ka udhëhequr mbledhjen e shtabit të emergjencës në këtë qark, duke dhënë detyrat përkatëse edhe në mbledhjen e pasdites së djeshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›