E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkoti apo “likuiditeti” i një pozicionimi

Rexhep Meidani 

Gjendjet agregate dhe bojkoti parlamentar Gjithçka, në mënyrë të zakonshme, ndeshet në tri gjendje: të gaztë, të lëngët dhe të ngurtë. Në paralelizmin politik, gjendja e gaztë i ngjet pjesës eterike të sjelljes ...politike. Bile, deri diku nga mënyra e shpërndarjes gazi është si politikani që flet për ta shpërndarë veten, por jo për t'u dëgjuar, më saktë për t'u ndjekur nga të tjerët. Më shpesh, thjesht për të lëngëzuar mendimin, diku për të luajtur teatër, diku për të mbuluar hipokrizinë e jo sinqeritetin, pse jo dhe mashtrimin e demagogjinë. Në kalimin nga gjendja e gaztë në atë të lëngët fillon të shfaqet inkonsistenca e jo ekuilibri, paqartësia e hezitimi, pse jo dhe frika e dobësia e vendimmarrjes, nga njëra anë, apo arbitrariteti e autoritarizmi, nga ana tjetër. Bile, bile, e këtij lloji likuid është dhe pretendimi i kokëpërpjetës, kur ndiqet një takim e pritje, recepsion e koktej, apo në komunikime zanore reale e virtuale me dridhmëni të rrezikshme! Thuhet se këtë bëjnë dhe bretkosat!..
Po aq i gaztë e likuid, tej larg solidifikimit politik është dhe bojkotimi. Dhe, mbi të gjitha, bojkoti parlamentar. Jo vetëm që ai nuk mund t'i rrezikojë kohës, por edhe pse, sipas temperaturës, me karakterin e tij të gaztë në temperatura të larta mund të "gazifikojë" interesat e partisë dhe të elektoratit përkatës, apo në temperatura mesatare mund të "lëngëzojë" deri kohezionin e grupit parlamentar dhe të vetë partisë! Dhe, kjo mund të bëhet po aq e rrezikshme! Sidomos, kur diçka e tillë, ka ndodhur edhe më parë, pikërisht i nxitur apo favorizuar nga vetë likuiditeti i pakuptimtë i kryetarit të kohës. 
Nga solidifikimi në shkrirje, nga shkrirja në avullim
Siç po duket, drejtimi i lartë në PS-së (ndoshta, një ose disa individë të tij), në kërkim të "varkës" së agonisë (por jo të shpëtimit për partinë!) po synon ruajtjen e status quo-së së deritanishme, tashmë në një gjendjen praktike likuide. Madje, pa u merakosur shumë nëse me një rrugë të tillë mund të dëmtojë vetë partia, zemra emancipuese e saj. E çuditshme është se dhe prurja e fundit në parti ose po shfaqet si apatike, ose po karakterizohet nga qëndrime radikale (diku dhe qartësisht servile!). Kjo edhe pse vetëm pak kohë më parë si kryefjalë e çdo fjalie ishte "politika ndryshe" e pretenduar si e mirë-solidifikuar, e menduar dhe e programuar në kokën e partisë. Për fat të keq, periudha pas zgjedhjeve bëri zhveshjen. Pra, "duke e bërë gjakun ujë", po ndodh një proces i shpejtë transformimi (deformimi) i kësaj "sjelljeje moderne" dhe, më konkretisht, shkrirja e saj në një sjellje likuide, me turbulencë radikalizimi. Kjo, edhe pse, jo vetëm me fjalë, por dhe me vepra një sjellje e tillë absurde e lëngëzoi për disa vjet rresht PD-në e dikurshme dhe vetë Berishën, me mbylljet e dyerve të jashtme, sidomos me sorollatjet disavjeçare jashtë parlamentit, në sheshet e rrugët e Shqipërisë. Madje, duke mos e arritur dot as këtë "standard kurajoz", ky drejtim, më saktë pak individë të tij, po tentojnë të zhvillojnë si mbështjellëse mbrojtëse vetë likuiditetin brenda partisë. Ndoshta dhe duke qenë të ndërgjegjshëm (brenda vetes dhe jo partisë!) që, në një periudhë të shkurtër, pas një teatri të tillë likuid, pas një rizgjedhje likuide, të kalohet, si në katërvjeçarin e shkuar, në sjelljen sa likuide po aq dhe të avullt (si ajo e bilbilave). Apo e thënë ndryshe, në reagimin eterik pa rezultat real, por, shumë më shpesh, në atë thjesht virtual!....
Aspirina likuide në
një drejtim likuid
Ndryshe nga ndikimi apo "djallëzitë" e dikurshme të alkoolit, duket sikur ka ardhur koha e aspirinës. Por, dhe në kushte të tilla, kërkohet përgjigje ndaj pyetjes së shtruar: Çfarë lloj aspirine nevojitet e ngurtë apo e lëngët, se për të gaztë nuk bëhet dot fjalë? Madje, nga ç'shihet, më tepër po preferohet ajo likuide. Kjo, sepse e tillë, po shfaqet vetë sjellja e politikës socialiste, mbështjellësja likuide e drejtimit të pjesshëm të saj. Po aq likuid po konsiderohet dhe statuti i partisë apo vendimmarrja e asamblesë parakongresuale kundër bojkotit. Përfshirë dhe pretendimin për një gjoja garë, që në thelb vuan, po në pikëpamje likuide, efektin likuid të parimit "një anëtar, një votë" në kushte avullimi të plotë të idesë së fraksioneve! Pa një solidifikim fraksionesh e gjitha kjo është thjesht një abuzim!... 
Pra, puna ka arritur deri aty sa po të mos ta gjejmë të gatshme aspirinën likuide të shoqëruar me vitaminë likuide, e mira e mira është që t'i bluajmë dhe t'i lëngëzojmë ato! Akoma, më e domosdoshme bëhet kjo kur këto kokrra janë aq të mëdha sa që nuk mund të gëlltiten lehtë, përfshirë dhe fjalët kërcënuese (pra dhe ngurtësuese në një garë demokratike!) të kandidatit kryetar apo kryetarit kandidat. Kjo edhe pse në shumë anë, nuk kuptohet mirë ajo që nevojitet sot: është aspirina vetë apo likuidi mbartës që mund të shërbejë sot si sistem referimi!...
Pse ky ushqim likuid?
Ka dhe një shqetësim tjetër: ngutja, improvizimet e vendimmarrjes ose pa gëlltitje, ose pa tretje. Sikur jemi aq të zënë dhe të ngarkuar sa nuk kemi as kohë për të ngrënë, jo më për të menduar dhe reflektuar! Bile, sikur dhe mendimet na janë bërë ujë (likuid!). Po kështu, gëlltisim një mëngjes të lëngshëm dhe ia mbathim nëpër "punëra" (kafene) apo në marifete të ngjashme, më dominuese ato likuide dhe jo ato solide. Bile, mjafton të lidhim një litarth kërthize në trajtë "minikablloje elektronike" (që lidh veshin me gojën për të dhënë udhëzime të ndryshme likuide). Dhe, në kushte të tilla modernizmi, ndoshta, do të arrijmë ta kujtojmë, me dashje apo pa dashje, se sa larg në memorie, sa të vjetër jemi kur nuk e gjejmë më sapunin në trajtë kallëpi në lokale, por gjejmë thjesht dhe vetëm atë sapunin likuid, si punë kremi! Por, dhe kjo dëshmon për ndryshimin...
Dhe së fundi, si ndeshen në natyrë aspirinat e vitaminat, d.m.th. materialet përbërëse të tyre? Janë të ngurta apo likuide? Në fakt, ingredientët e tyre mund të kenë si origjinë: bimë dhe lule të ndryshme, zarzavate apo fruta, peshk apo qumësht, vezë e kripëra minerale, etj.. Ato kur përpunohen mund të shndërrohen si prodhime apo pilula të vockla, siç nuk është vështirë që, në vend të paketimit të ngurtë, të realizohet dhe ai i lëngët. E njëjta gjë vlen dhe për mjaft ushqime të tjera. Ashtu si për ujin, që në verë e shoqërojmë me akull, apo kur flasim për qumështin, portokallin e limonin, etj. Sidomos, kur këtë të fundit e shtrydhim dhe e pimë si lëng. Këtë fakt duhet ta konsiderojë dhe partia socialiste dhe veçanërisht grupi parlamentar i saj. Sepse një ndryshim i tillë, i lidhur me këtë shtrydhje, provokon atë që në popull quhet shkurt e thjesht: një limon i shtrydhur!...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›