Vëzhguesit vendorë: Zgjedhjet,arritje pozitive drejt standardeve
Në prag të shpalljes së raportit përfundimtar nga misioni i ODIHR-it, zgjedhjet e 28 qershorit marrin vlerësim pozitiv nga koalicioni i vëzhguesve vendorë në Tiranë. Rreth një muaj pas shpalljes së rezultatit përfundimtar, vëzhguesit vendas kanë publikuar raportin e tyre, ku vlerësojnë zgjedhjet e fundit parlamentare, teksa vënë theksin edhe te disa mangësi që u vërejtën në këtë proces. “Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, 28 qershor 2009 treguan së vendi i ynë, klasa politike shqiptare, zgjedhësit shqiptarë dhe shoqëria civile, në përgjithësi janë të ndërgjegjësuar për përgjegjësitë e mëdha që ka anëtarësimi i vendit tonë në NATO. Ato evidentuan përpjekjet e bëra dhe mund të konsiderohen si arritje pozitive në përpjekjet për realizimin e zgjedhjeve e lira, të ndershme, në përputhje me angazhimet OSBE-se, standardet e Këshillit të Evropës për zgjedhje demokratike dhe legjislacionin shqiptar”, thuhet në kapitullin e përfundimeve të raportit të koalicionit të vëzhguesve vendorë. Ky koalicion ka vlerësuar pozitivisht edhe punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por shton se në disa raste votimi në këtë institucion u krye në bazë të orientimit partiak të komisionerëve. “Në përgjithësi puna e KQZ-së mund të vlerësohet si një përpjekje e suksesshme në zbatimin e kërkesave të Kodit Zgjedhor. Fakti që ky Komision, pas ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit 2008 pushoi së qeni një institucion kushtetues, nuk ndikoi në nivelin e performancave profesionale të tij. Qenia e tij si një institucion me përfaqësim të plotë politik në disa raste ndikoi në vendimmarrje”, vijon më tej raporti. Përsa i përket vërejtjeve, koalicioni kthehet mbrapa në kohë, gjatë hartimit të Kodit Zgjedhor, ku kujton grevën e një grupi deputetësh, të cilët u shprehën kundër përsa i përket përfaqësimit politik me të drejtë vote në të gjitha nivelet e komisioneve të administrimit të zgjedhjeve. Gjithashtu raporti ka pasqyruar edhe akuzat e forcave të mëdha për përdorimin e administratës në fushatën elektorale. “Punonjës të institucioneve publike, të ministrive, bashkive, mësues, nxënësit e shkollave etj., u përdorën nga dy forcat e mëdha politike për të marrë pjesë në aktivitetet e tyre, si në Fier, Korçë, Vlorë, Tiranë, Shkodër, Elbasan, Shijak, Durrës etj. Opozita në jo pak raste denoncoi përdorimin e burimeve të administratës publike, si makinat, ndërtesat zyrtare etj., nga PD-ja për qëllime të fushatës zgjedhore”, vijon më tej raporti. Përsa i përket procesit të votimit, koalicioni vë theksin te vonesat gjatë emërimit të anëtarëve të KZAZ-ve dhe mungesa e profesionalizmit të anëtarëve të KQV-ve dhe grupeve të numërimit. Në fund të raportit me 26 faqe, vëzhguesit vendorë kanë propozuar ndryshimin e sistemit nga proporcional rajonal në proporcional kombëtar. “Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë rekomandon si të mundshëm ndryshimin i sistemit zgjedhor nga proporcional rajonal në proporcional kombëtar”, thuhet më tej në raport. Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, i cili ndoqi nga afër zgjedhjet e 28 qershorit, është i përbërë nga gjashtë organizata, Shoqata për Kulturë Demokratike (SHKD), Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve (AIESD), Gruaja për Veprim Global (ËGA), MJAFT, Qendra e Kombinatit për Gratë e Fëmijët, si dhe KRIIK Albania.