E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet 4 vjet, kushtet për diplomën e Bolonjës

 

Zirina llambro

Nuk do të marrin diplomë të nivelit të parë dhe as diplomë të nivelit të dytë, sipas Bolonjës. Të gjithë ata studentë që kanë kryer 4 vjet shkollë në një degë të caktuar, ose kanë ngelur në stazh që prej sistemit të vjetër, do të pajisen me një formë të re diplome. Ajo do të cilësohet “diplomë universitare” dhe vitet e shkollimit do të konvertohen në 240 kredite. Ky emërtim i ri është i vlefshëm për të gjithë ata të cilët kryesisht kanë studiuar në degën e juridikut. Pas protestave të studentëve dhe kundërshtive të tyre për ta konvertuar edhe këtë degë sipas Bolonjës, më në fund u gjet një zgjidhje. Por edhe këtu është lënë një hapësirë. Nëse duan të marrin një diplomë të nivelit të dytë, e barasvlershme me ata që kanë përfunduar studimet në sistemin 3+2 sipas Bolonjës, studentët e katërvjeçarit duhet të ndjekin dhe një tjetër vit akademik. Pra duhet të grumbullojnë 300 kredite. Gjithçka e bëri me dije dje Ministria e Arsimit me anë të një deklarate për mediat. “Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton të gjithë studentët që janë diplomuar në vitin 2008-2009 se në një program studimi të hapur me kohëzgjatje 4 vite akademike, 240 kredite, fitojnë diplomë universitare, 4 vite akademike me 240 kredite. Këto kredite do të jenë të detajuara në suplementin e diplomës që ata do të marrin”, thuhet në deklaratë. Gjithashtu bëhet me dije se MASH, me një shkresë zyrtare ka nxjerrë një udhëzim të ri për të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë. “Nëse këta studentë dëshirojnë të fitojnë Diplomë të Integruar të Nivelit të Dytë me 300 kredite, në përputhje me nenin 26, pika 1.2.2 e ligjit nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, të marrin masat që në vitin akademik 2009-2010 t’u japin mundësinë të diplomuarve të plotësojnë studimet edhe me një vit akademik,  60 kredite”, saktëson deklarata. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›