Blushi: Para lokaleve nuk ka zgjedhje të parakohshme
Ilir Kadia
Brenda PS-së në Shqipëri janë qartësuar dy qëndrime, ai i përfaqësuar nga kryetari i saj, Edi Rama, dhe që kërkon bojkot të Kuvendit dhe ai i përfaqësuar nga anëtari i kryesisë, Ben Blushi, që i bën thirrje deputetëve të PS-së të shmangin bojkotin.Pse nuk duhet që socialistët të bojkotojnë Kuvendin?
PS-ja nuk duhet t’i kthehet traditës së bojkoteve në Shqipëri, të cilat ajo i ka dënuar në të shkuarën, kur PD-ja e kishte kthyer këtë në një cikël kronik. E dyta, PS-ja nuk ka arsye të mjaftueshme për të mos shkuar në Kuvendin e Shqipërisë. PS-ja është futur në zgjedhje për të marrë pjesë në Parlament, pavarësisht sesi do ishte rezultati i zgjedhjeve. Ne nuk shkojmë në parlament vetëm kur fitojmë dhe nuk duhet të mos shkojmë atëherë kur humbim. Arsyeja e fundit është që PS-ja do të hyjë në një cikël krizash permanente në rast se nuk hyn në parlament duke mos përmbushur misionin për të cilën është votuar. Arsyet nuk janë të mjaftueshme, nuk janë arsye të PS-së, janë arsye personale të Edi Ramës.
Ju sot mblidhni kryesinë e PS, ndërsa OSBE/ODIHR nxjerr raportin për zgjedhjet. Nëse raporti i OSBE–ODIHR thotë “ok” për zgjedhjet me gjithë problemet që mundet të raportojë dhe kryesia juaj vendos për bojkot, ju si Ben Blushi, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, a do të veproni sipas vendimit të forumit të partisë tuaj, apo vetes tuaj?
Unë jam i detyruar ta dëgjoj raportin e OSBE/ODIHR-it dhe sigurisht që më intereson mendimi i një arbitri relativisht të besueshëm, të cilit ne gjithmonë i jemi referuar, por unë jam deputet i PS-së dhe, pavarësisht se do jem kundër bojkotit në rast se kjo gjë vendoset, e kam thënë dhe do e përsëris që do e respektoj vendimin e shumicës brenda PS-së.
Vazhdoj të them që ky vendim nuk është bindës, është i ekzagjeruar, nuk është shumë i justifikueshëm dhe nuk është një vendim i cili premton të mira për opozitën e PS-së në Parlament. Unë besoj që pushteti nuk merret dot në rrugë, por mund të merret në institucione dhe në institucionet e Parlamentit të Shqipërisë ne kemi mundësi të bëjmë diferencën me qeverinë, kemi mundësi të themi atë që besojmë se kjo qeveri nuk mund ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza, nuk mund të avancojë reformat dhe po ashtu kemi mundësi për shkak të krizave të pritshme të kësaj qeverie që mund dhe të mos varen nga kjo qeveri, shumë shpejt në parlament mund të ketë ndryshime numrash të cilat në rast se nuk jemi, nuk mund t’i shfrytëzojmë.
Ju filluat të vlerësoni kështu edhe marrëveshjen e re mes PD-së dhe LSI-së. Politikisht çfarë është kjo marrëveshje sipas jush?
Në radhë të parë kjo është një marrëveshje e detyruar nga numrat. Dy palë të cilat garuan jashtë nesh në zgjedhjet e 28 qershorit, vendosën të bashkoheshin me numrat e tyre për të krijuar një qeveri. Së dyti, kjo marrëveshje është shtyrë nga interesi që dy forcat politike PD dhe LSI kanë për ta vënë në pozitë të vështirë PS-në. Së treti, është fakti dhe e vërteta që ne nuk i kemi kërkuar koalicion LSI-së para dhe pas 28 qershorit dhe përsa kohë nuk i kërkuam koalicion numrash LSI-së, ajo vendosi të shkojë në krahun tjetër, gjë për të cilën unë nuk mund të them dot sesa do jetë ndëshkuese për LSI-në, por sigurisht ky nuk ishte koalicioni për të cilën shqiptarët votuan në 28 qershor.
Për këtë jam i bindur, pavarësisht sesi rrodhën ngjarjet pas 28 qershorit, qoftë për arsye të LSI-së apo dhe pak për arsyet tona. Duke thënë këtë gjë, unë nuk e justifikoj aspak LSI-në, por në fund të ditës duhet ta pranoj se ky është një koalicion legal dhe Shqipëria duhet të mësohet me koalicione të tilla, siç ndodh rëndom në vende të tjera të botës.
Për t’u kthyer në pushtet sa më shpejt të jetë e mundur që do të thotë edhe me zgjedhje të parakohshme, a është politikani i së majtës Ben Blushi, partizan i kësaj formule?
Nuk ka opozitarë që nuk është i interesuar për zgjedhje të parakohshme përfshirë dhe mua. Çështja është që ne sot ndahemi për mënyrën sesi mund të arrihen zgjedhjet e parakohshme. Unë nuk besoj se mund të arrijmë zgjedhje të parakohshme, duke mos shkuar në parlament. Besoj se ka të tjera mundësi për të arritur në zgjedhje të parakohshme.
PS-ja duhet të njohë atë që ka ndodhur në 28 qershor, të kuptojë se pse nuk ishte partia apo koalicioni i saj fitues dhe nëse PS-ja ndryshon mendoj se ka rrugës shumë më shumë hapësirë për të zgjeruar aleancat e veta, qoftë edhe në këtë parlament. Kjo do të ishte një rrugë besoj më e logjikshme për të cilën ia vlen t’i besohet për të arritur herët apo vonë në zgjedhje të parakohshme, megjithëse po them atë që besoj se është e vështirë të ketë zgjedhje të parakohshme në Shqipëri, përpara zgjedhjeve lokale.
Ju thatë dhe mendimin tuaj për garën, që mesa duket do të vazhdojë me gjithë tërheqjen tuaj apo të z. Malaj, midis z. Rama dhe z. Lakrori. Cili është mendimi juaj për këtë?
Kjo është një garë formale, ku konkurrojnë dy opsione të rëndësishme brenda PS-së. Është një formalitet, ne të gjithë e dimë rezultatin që Edi Rama do rizgjidhet në krye të PS-së, për të vazhduar atë që ka nisur duke e bërë më hermetike PS-në, duke ngushtuar bazën elektorale të saj, duke refuzuar të korrektojë ato ç‘ka ishin bërë keq në 28 qershor dhe duke refuzuar të korrektojë platformën e vet jo ideologjike “Përtej të majtës dhe përtej të djathtës”, duke krijuar një rreth dhe një klientelë mbështetësish në të gjithë forumet e PS-së, gjë e cila dyshoj se do na çojë larg në ciklet pozitive brenda PS-së.