E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti i Ramës bllokoi statusin

13-10-2011 / Gazeta 55

Brukseli dje ka folur qartë. Bllokimi i parlamentit dhe pamundësimi i miratimit të reformave ka sjellë shtyrjen e vendimit për akordimin e statusit të kandidatit për në BE. Komisionari Stefan Fyle theksoi qartazi se “prisnim më shumë nga klasa politike”, por Edi Rama iu shmang përgjegjësive. Ai s’mundi t’u dalë para mediave, por, si gjithmonë këto kohë, me email shpalli se s’do t’i kthehet procesit të votimit në parlament

Shkurt, prerë dhe qartë, Brukseli flet për perspektivën e integrimit evropian të Shqipërisë, duke perifrazuar “progresin e kufizuar” në ligje dhe reforma, shkaku i së cilës është ngërçi politik dhe bojkoti i parlamentit nga Partia Socialiste. Gjuha e Brukselit është më shumë se e kuptueshme, dhe njëherazi një këmbanë alarmi për rolin destruktiv të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, ku përmes strategjisë së shkatërrimit, ka bojkotuar votimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, një pjesë e të cilave pjesë e rëndësishme e 12 rekomandimeve të Brukselit. Dhe jo më kot “progresin e kufizuar” në reforma, komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefan Fule, ia faturon klasës politike, ndërsa nuk kursen kritikat ndaj mos miratimit të ligjeve dhe reformave në Kuvend. Fule bëri dje publike nga Parlamenti Evropian në Bruksel, vlerësimin e progres – raportit të KE, për vendet që aspirojnë të aderohen në BE, mes tyre dhe Shqipëria. “Do doja të shikoja më shumë progres. Vitin e kaluar përcaktuam 12 rekomandime, megjithatë progresi është penguar nga ngërçi politik dhe bojkoti parlamentar, pavarësisht përpjekjeve tona për të mbështetur progresin Evropian të Shqipërisë. Kohët e fundit kemi patur sinjale pozitive për rinisjen e dialogut politik. Më duhet të theksoj se është nevojë urgjente nisja e dialogut e të mbahej një nivel bashkëpunimi që do të lejonte progresin drejt BE-së” - u shpreh Fule, ndërsa apeloi zyrtarisht që “partitë politike të rifillojnë dialogun të ri-gjejnë pikën e bashkëpunimit mes tyre”. Komisioneri për Zgjerimin theksoi se ky vit është me rëndësi për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Ai vuri në dukje se “shumë vende kanë bërë reforma në administratën publike ndërsa ka inkurajuar disa vende të zgjidhin problemet që pengojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian”. “Në Shqipëri, progresi u dëmtua nga vazhdimi i ngërçit politik dhe zhvillimet e mëtejshme konfrontuese. Së fundmi, ka disa sinjale më pozitive, e se partitë politike duan të rivendosin marrëdhëniet. Kjo kërkohet në mënyrë urgjente, pra që partitë politike të vendosin dhe të ruajnë një nivel bashkëpunimi që do të mundësonte progres drejt Bashkimit Europian. Më lejoni të rifreskoj vendosmërinë e Komisionit, e të Parlamentit Europian gjithashtu, për të ndihmuar të gjitha palët në Shqipëri që të kapërcejnë mosbesimin personal dhe që të hedhin bazat, në mënyrë që Qeveria të jetë e aftë të krijojë mundësitë që procesi i integrimit europian të jetë gjithëpërfshirës, dhe për Opozitën që të jetë një partner konstruktiv në këtë proces”- deklaroi Fule. Duke iu referuar kërkesës së Kroacisë për marrjen e statusit kandidat, eurokomisioneri Fyle theksoi se ky shtet tashmë duhet të vijojë përgatitjet e anëtarësimit. Sipas tij, Komisioni Europian do të vijojë më pas me monitorimin për sa i përket angazhimit të Kroacisë për procesin e integrimit. Gjithashtu eurokomisioneri Fyle ka propozuar hapjen e bisedimeve mes Malit të Zi dhe Bashkimit Europian.

Stefan Füle
“Vullneti është hapi i parë dhe shpresoj se bazuar në këtë vullnet, do të jemi gati që të kapërcejmë ngërçin politik dhe të zgjidhim çështjet kryesore: Nga njëra anë kërkohet reforma elektorale dhe ndryshimi i kodit elektoral sipas rekomandimeve të OSBE-së, si dhe opinionit të Komisionit të Venecias për të cilën ky komision po punon. Nga ana tjetër, nevojitet zbatimi i 12 rekomandimeve. Nga vlerësimi që kemi bërë ne për 12 rekomandimet, rezulton, se ka ende shumë punë për të bërë. Ndaj, në progres-raportin tonë ne themi qartë, se do i rikthehemi kësaj çështjeje në progres-raportin e ardhshëm. A do të thotë kjo që nëse Shqipëria zbaton 12 rekomandimet, duke zgjidhur ngërçin politik, ne nuk do të raportojmë shteteve anëtare më parë. Unë s’po e them këtë. Pra, po jua lë këtë autoriteteve shqiptare dhe forcave politike”.

Hannes Swoboda, Grupi Socialist në Parlamentin Evropian
“Unë mendoj se janë mundësitë për të pasur një raport pozitiv, nëse është e qartë se të dyja partitë do të bashkëpunojnë dhe të bëjnë një hap të madh përpara. Është humbur kohë dhe tani është momenti, që të dyja partitë kryesore të arrijnë një marrëveshje te tillë për tê marrë një përgjigje pozitive nga BE-ja”.

Stefano Sanino, drejtori i përgjithshëm për Zgjerimin në KE
“Nëse ne shohim se ka vullnet politik të mjaftueshëm dhe se situata evoluon drejt zbatimit të 12 prioriteteve, komisioneri Füle qartësisht nuk e përjashtoi që ti drejtohet Këshillit të ministrave të BE-së më herët për Shqipërinë. Ajo që është e rëndësishme tani është fokusimi te puna që mbetet për të bërë. Secili në Shqipëri, forcat politike dhe më gjerë duhet të kenë të qartë përmbushjen e 12 prioriteteve, zbatimin e tyre dhe më pas shansi për Shqipërinë që të ecë përpara bëhet një realitet”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›