Kosovë, zgjedhja e presidentit, Jakup Krasniqi vetë shpall kandidaturën
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi nuk e ka përjashton mundësinë për të kandiduar si president i vendit nëse do të kërkohet nga organet drejtuese të Partisë Demokratike të Kosovës.
Në një intervistë për mediat kosovare Krasniqi ka thënë se asnjëherë në jetën e tij politike nuk u ka ikur përgjegjësive dhe se nuk ka vepruar për të marrë merita personale.
“Në fillim duhet të presim përmbylljen e ndryshimeve kushtetuese, reformën zgjedhore, pastaj do të flasim. Në jetën time politike nuk kam luftuar për interesa personale, por përgjegjësive nuk i jam shmangur asnjëherë, edhe kur kanë pasur shkallë të lartë të përgjegjësisë e të rrezikshmërisë. Tani të paktën shkalla e rrezikshmërisë është shumë më e vogël. Në të shumtën e rasteve kam respektuar vendimet e organeve të partisë”, ka deklaruar Krasniqi.
Kryeparlamentari ka kërkuar që Kosova të mbetet republikë parlamentare, në të kundërtën, sipas tij, vendi mund të rrëshqasë drejt diktaturës.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi disa muaj gjatë vitit 2010 dhe 2011 ka ushtruar detyrën e presidentit të Kosovës, pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut ndërsa më edhe pas shkarkimit të Behgjet Pacollit në fillim të këtij viti.