E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti i opozitës, "bllokon" zgjedhjet e pjesshme

Moskonstituimi i KZAZ-ve ka sjellë pamundësinë e partive për të paraqitur kandidatët për kryetar njësish vendore


TIRANË- Bojkoti i opozitës ka vënë në vështirësi serioze procesin e zgjedhjeve të pjesshme vendore, që pritet të zhvillohen në datën 15 nëntor.


Mosparaqitja e kandidatëve për anëtarë të komisioneve të zgjedhjeve të niveleve të dyta, pra KZAZ-ve, nga tre prej katër forcave politike, që kanë të drejtë të bëjnë propozime, ka sjellë si rrjedhojë shkeljen e një sërë afatesh nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.


Kështu, pasi ka shtyrë përtej afatit ligjor kohën e paraqitjes dhe të regjistrimit të kandidatëve për anëtarë KZAZ-së, KQZ-ja do duhet të shkelë tashmë edhe afatin tjetër, atë që ka të bëjë me regjistrimin e kandidatëve për kryetarë të pesë njësive vendore dhe, sipas përcaktimit të kodit përfundon sot.


Një gjë e tillë bëhet e detyrueshme për shkak se subjektet politike, që kanë vendosur të marrin pjesë në këto zgjedhje (PD-ja, PPSHr-ja dhe LSI-ja) nuk kanë mundësi, që të bëjnë depozitimin e kandidaturave me të cilat do të garojnë në këto zgjedhje, për vet faktin se ndryshe nga zgjedhjet parlamentare, paraqitja e emrave nuk bëhet më në KQZ, por në KZAZ-të dhe është kjo e fundit, që ia paraqet institucionit qendror të administrimit të zgjedhjeve.


Neni 67 i Kodit Zgjedhor përcakton se "Për zgjedhjet e qeverisjes vendore, kandidati për kryetar komune dhe bashkie, apo lista e kandidatëve për këshillat vendore regjistrohen në KZAZ-në, që mbulon njësinë e qeverisjes vendore.


KZAZ- ja dorëzon një kopje të listës KQZ-së". Nga ky nen bëhet e qartë që regjistrimi i kandidatëve për kryetar të pesë njësive vendore ku do të kryhen zgjedhjet nuk do të mund të bëhet, jo vetëm brenda ditës së sotme si afati i fundit, por as për një kohë relativisht të gjatë, pasi ende partitë nuk kanë bërë propozimet për anëtar KZAZ-së dhe për t'i dhënë mundësi më pas KQZ-së që t'i miratojë për tu konstituuar më pas si hapi final i këtij procesi.


Zgjidhja për këtë çështje bëhet edhe më e paqartë, po të kemi parasysh se KQZ-ja nuk ka vendosur ende se çfarë zgjidhje do të japë për plotësimin e vendeve vakante, që mbeten në KZAZ-të për shkak të mos pjesëmarrjes në zgjedhje të PS-së, kur dihet që në tre prej këtyre komisioneve, ajo ka shumicën dhe mbledhja e tyre për shkak të numrave bëhet e pamundur.


Zgjedhjet e pjesshme do zhvillohen për kryetar në njësinë bashkiake nr. 10, Tiranë, për kryetar bashkie në Bashkinë Klos, për kryetar bashkie në Bashkinë Fushë- Arrëz, për kryetar komune në Komunën Fierzë dhe për kryetar komune në Komunën Otllak, vende të cilat kanë mbetur bosh pas zgjedhjes së ish-drejtuesve të tyre deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërkohë gjatë ditës së sotme KQZ-ja ka programuar që të miratojë buxhetin për këto zgjedhje.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›