Dade: Të hapen kutitë. Protestat do të vazhdojnë
Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në PS tha se protestat do të përshkallëzohen.
TIRANË- Pas vendimit zyrtar të Asamblesë Kombëtare të PS-së, për bojkot zgjedhjeve të pjesshme të 28 Qershorit, opozita i kujton sërish kryeministrit të vendit se, ajo nuk do të bëhet pjesë e Kuvendit në rast se nuk do të hapen kutitë e votimit.
Sekretarja Marrëdhënieve me Jashtë në PS, Arta Dade, deklaroi dje se kryeministri Sali Berisha duhet ta marrë seriozisht vendimin e opozitës për të mos marrë pjesë në parlament, sa kohë që nuk bëhet transparenca e plotë e kutive të votimit dhe e materialeve zgjedhore.
"Manipulimi dhe deformimi i vullnetit të shumicës elektorale padyshim që bën përgjegjës Sali Berishën.
Ai ka abuzuar me bashkëpunimin me opozitën dhe sigurisht vazhdon të ketë një shurdhëri absolute edhe ndaj sugjerimeve të Komisionit Europian, për të rivendosur dialogun politik, i cili në asnjë rast nuk mund të vendoset, në rast se Sali Berisha, nuk merr seriozisht kërkesat e opozitës për të bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve.
Partia Socialiste do të vazhdojë përshkallëzimin e protestave të saj dhe gjej momentin për të falënderuar gjithë ata mbështetës, simpatizant dhe anëtarë të Partisë Socialiste, të cilët kanë marrë pjesë në tubimet tona, në mbrojtje të votës së lirë dhe në denoncimin e mashtrimit dhe abuzimit elektoral.
PS-ja e ka ndërmarrë këtë aksion politik e imponuar nga situata e krijuar për shkak të vjedhjes së votës dhe manipulimit të vullnetit të zgjedhësve nga ana e përgjegjësit kryesor, Sali Berishës",- tha dje Dade, përmes një konference për shtyp. Dy ditë më parë, PS-ja mblodhi Asamblenë Kombëtare të saj për të vendosur mbi qëndrimin që do të mbahet ndaj zgjedhjeve të pjesshme. Edhe gjatë këtij takimi, anëtarët e Asamblesë vendosën në një zë se duhet bërë transparenca e zgjedhjeve.
Vetëm më katër vota kundër, shumica e anëtarëve të Asamblesë kanë mbështetur idenë e bojkotit të zgjedhjeve të pjesshme, duke argumentuar se Berisha dhe mazhoranca e tij, me refuzimin që i ka bërë kërkesave të PS-së për të bërë transparencën e zgjedhjeve parlamentare, nuk jep garanci as për zgjedhjet në këto pesë njësi vendore.
Sërish dje, socialistët përsëritën qëndrimin e tyre, ndërkohe që kryeministri Sali Berisha deri më tani ka pranuar vetëm ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, ndërkohe që për kërkesën kryesore te opozitës, atë të hapjes së kutive të votimit, ai i ka kërkuar kryetarit të opozitës që ti drejtohet organit të akuzës.