Shqipëri -Turqi, hiqet pagesa për vizat
Marrëveshja nënshkruhet mes ministrave të jashtëm të vendeve respektive. Në dhjetor vjen në Tiranë, Presidenti i Turqisë, Abdulla Gyl.
"Ne kemi rënë dakord të hiqet pagesa për vizat, e cila është jo vetëm kosto financiare, por edhe barrierë psikologjike"
TIRANË - Të gjithë shqiptarët, që do të udhëtojnë drejt Turqisë, nuk do të paguajnë më 10 euro për taksën e vizës siç bënin më parë. Ky vendim u mor dje gjatë nënshkrimit të marrëveshjes midis ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta, dhe atij turk, Ahmet Davutoglu.
Gjatë takimit në Tiranë, me ministrin e Jashtëm të Turqisë, kreu i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, deklaroi se u vendos që të hiqet taksa e vizës me Turqinë si dhe anasjellas.
Sipas Metës, heqja e taksës së vizës nuk është vetëm një privilegj i kostos financiare, por edhe i barrierës psikologjike. "Ne kemi rënë dakord të hiqet pagesa për vizat, e cila është jo vetëm një kosto financiare, por mbi të gjitha edhe një barrierë psikologjike", - tha dje Meta.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm turk, duke vlerësuar marrëdhëniet e mira midis Shqipërisë dhe Turqisë, theksoi se marrëveshja me Ministrinë tonë të Jashtme konkludoi në heqjen e pagesave për vizat për të gjithë shqiptarët që udhëtojnë në Turqi. "Si një dhuratë e bukur në këtë ditë pushimi për të gjithë shtetasit shqiptarë, ne vendosëm që të hiqen të gjitha pagesat për vizat", - u shpreh Davutoglu.
Duke i konsideruar marrëdhëniet politike mes dy vendeve në një nivel mjaft të kënaqshëm, ministri i Jashtëm turk, vuri në dukje se, edhe marrëdhëniet ekonomike po ecin në këtë linjë. Sipas tij, investimet turke në Shqipëri kanë ardhur duke u rritur, nga 45 milionë dollarë që ishin para pesë viteve, tani kanë kapur shifrën 1 miliardë dollarë.
"Edhe marrëdhëniet ekonomike po ecin mjaft mirë; sot ato janë në nivelin e rreth 1 miliard dollarë ndërsa vëllimi i shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve tona, është rreth 350 milionë dollarë.
Por duhet të ketë një hop akoma më të madh me fillimin e funksionimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë", - shtoi ministri i Jashtëm turk.
Davutoglu u shpreh gjithashtu se, të rinj shqiptarë do të trajnohen pranë Ministrisë së Jashtme të Turqisë, për të fituar përvojë në fushën e diplomacisë. Ai tha se, Turqia dhe Shqipëria do të forcojnë bashkëpunimin edhe në fusha të tjera, si transporti, turizmi dhe arsimi, duke përmendur bashkëpunimin midis dy universiteteve.
Ministri i Jashtëm turk, vijoi takimet e tij me Kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjatë këtyre takimeve, ai bëri të ditur se vizita e tij në Shqipëri do të pasohet edhe nga ajo e presidentit të Turqisë, Abdulla Gyl, në muajin dhjetor.