E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhja e votës, Shehi: Do t'i drejtohemi Strasburgut

Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, nuk ka besim tek Gjykata Kushtetuese: "Është gjykatë politike në favor të pushtetit"


TIRANË- Kryetari i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi deklaron se do ta dërgojë kërkesën e tij, për ankimimin e zgjedhjeve të 28 Qershorit, në Gjykatën e Strasburgut, pasi nuk ka besim tek institucionet shqiptare për të shqyrtuar kërkesën e dërguar nga kjo parti.


Kreu i LZHK-së, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ku ka depozituar ankesën e partisë së tij, lidhur me procesin e numërimit të votave që, sipas tij, është i manipuluar. Gjykata i ka kthyer një përgjigje LZHK-së, ku evidenton se në kërkesën e saj, kjo parti nuk ka dërguar prova shkresore dhe nuk ka paraqitur subjektet e interesuara.


Por, Shehi vë në dukje se provat shkresore janë përmendur tek ankimimi, që është bërë. Megjithatë, sipas tij, ato do të dërgohen edhe një herë, por problemi, sipas tij, nuk qëndron këtu, por tek mënyra e veprimit të gjykatës e cila, sipas tij, vendimet i merr në favor të pushtetit politik.


"Ne i kam marrë në mënyrë institucionale. Kemi shkuar në Komision Qendror Zgjedhor, ka rënë poshtë. Kemi shkuar në Kolegjin Zgjedhor, siç e kërkon ligji dhe ka rënë poshtë. I jemi drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese e cila po ashtu mund ta hedhë poshtë kërkesën tonë. Unë jam i bindur që do ta hedhin poshtë kërkesën tonë.


Gjykata Kushtetuese, është gjykatë politike. Pasi të mbarojë procedurat në institucionet tona do ta dërgojmë në Gjykatën e Strasburgut",- tha Shehi për gazetën "Shekulli".


Kreu i LZHK-së shtoi se pas përgjigjeve negative të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kërkesa i është dërguar, Gjykatës së Apelit dhe prokurorisë, për të hetuar mbi shkeljet, që janë bërë në procesin e numërimit, pasi, sipas tij kjo që ka ndodhur me zgjedhjet është një krim elektoral.


Por, Shehi ka shumë pak besim tek institucioni i akuzës kur thekson se edhe prokuroria nuk do ta marrë parasysh kërkesën e partisë së tij dhe rruga e vetme që mbetet më pas është Gjykata e Strasburgut.


"Pas përgjigjes negative të dhënë nga KQZ-ja, i jemi drejtuar Gjykatës së Apelit dhe prokurorisë. Kësaj të fundit i jemi drejtuar në sensin që prokuroria duhet të hapë një hetim për shkeljen e ligjit. Ne gjykojmë që është një çështje penale. Ata do ta gjykojnë nëse është ose jo çështje penale.


Unë mendoj se edhe prokuroria ka për ta mbyllur këtë çështje. Ne gjykojmë që ka vendime kriminale pasi vjedhja e votës është një krim penal e i dënueshëm. Prandaj, ne themi që ky është një krim shumë i rëndë. Pas gjithë kësaj do t'i drejtohemi nga Gjykata e Strasburgut",- pohon Shehi.


Lideri i forcës së djathtë, u tregua i gatshëm për të mbështetur nismën e Partisë Socialiste për hapjen e kutive të votimit. Ai kërkoi që lideri i PS-së, Edi Rama, të ndjekë të gjitha kërkesat ligjore për të vërtetuar manipulimet që janë kryer në procesin e numërimit. "Unë them që është një iniciativë pozitive sepse është e ligjshme dhe operohet brenda "oborrit" kushtetues.


Duke qenë e ligjshme është edhe e moralshme. Aq më tepër tema për të cilën pretendohet, i jep edhe një lloj dinjiteti. Ne jemi të gatshëm për ta mbështetur këtë nismë. Unë shpresoj që Rama t'i ndjekë të gjithë kërkesat ligjore. Kjo nuk zhvlerëson as edhe protestat në rrugë. Kjo do të zhvlerësojë këto institucione të cilat nuk marrin seriozisht problemin më serioz që ka Shqipëria,"- shtoi Shehi.


Ai u shpreh gjithashtu se partia që ai drejton po ndjek të gjitha rrugët ligjore brenda mundësive, që posedon kjo forcë politike. Por, Shehi i trembet moszbatimit të ligjit nga këto institucione, veçanërisht Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj, për të cilën, ai vëren se gjithmonë është renditur në krah të pushtetit politik.


"Nga eksperienca e këtyre 20 vjetëve, Gjykata Kushtetuese shqiptare fatkeqësisht nuk ka votuar ndonjëherë kundër qeverisë, me përjashtim të ndonjë ligji të dorës së dytë.


Gjykata Kushtetuese ka votuar gjithnjë sipas pushtetit në fuqi cili këtë radhë është në dorë të Berishës dhe PD-së dhe para pesë vjetëve ishte në dorë të Fatos Nanos dhe Partisë Socialiste. Gjykata ka votuar gjithnjë në favor të pushtetit dhe shumë rrallë në favor të qytetarëve, për të mos thënë asnjëherë,"- përfundoi Shehi.


Nisur nga kjo mënyrë veprimi e Gjykatës Kushtetuese, ai nuk pret që ky institucion të japë një vendim në favor të kërkesës së tij për zgjedhjet e 28 Qershorit dhe kjo e shtyn gjithnjë e më shumë që t'i drejtohet Gjykatës së Strasburgut.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›