Bojkoti i opozitës, pesë projektligje mbarten në sesionin tjetër të Kuvendit

Kuvendi në 100 ditë rekord ligjesh të miratuara edhe pa praninë e PSPërpos morisë së madhe të ligjeve të miratuara në vetëm 100 ditë pune të parlamentit shqiptar, 5 projektligje të rëndësishme janë shtyrë për në sesionin e ardhshëm të Kuvendit. Bojkoti institucional i opozitës nuk e ka censuruar mazhorancën dhe deputetët e saj, për të votuar në sallën e kuvendit ligjet e draftuara nga ekspertët më të mirë në vend dhe në bashkëpunim me agjencitë ndërkombëtare të specializuara në fushën e hartimit ligjor. Këto ligje janë konsideruar si pjesë e pandashme e realizimit të kushteve për integrimin e Shqipërisë në strukturat e Bashkimit Evropian dhe njëherazi si një shëmbëlltyrë për t’i dhënë vendit perspektivën e qartë të shtetit ligjor. Kthimi i opozitës në kuvend do të shënonte dhe hapin e parë të miratimit të ligjeve parlamentare që kërkojnë një kuorum të caktuar votash kryesisht 84 të tilla. Në këtë drejtim, 5 janë projektligjet e rëndësishme të trashëguara nga sesioni i kaluar në pritje të votave të opozitës. Konferenca Gjyqësore, Gjykata Administrative, por dhe granti i Sfidës së mijëvjeçarit, janë draftet e planifikuara të shqyrtohen në janar, por që kërkojnë 84 vota për t’u miratuar. Mungesa e votave për projektin e parë ka lënë pezull situatën në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili duhet të zëvendësojë 2 prej anëtarëve të tij.Ndërkohë Gjykata Administrative, është projektligji më i kërkuar nga biznesi, por që prej legjislaturës së kaluar ndodhet në sirtarët e Kuvendit. Këto dhe të tjera projektligje krahas vullnetit të mazhorancës kërkojnë edhe konsensusin e palës opozitare për të harmonizuar frymën e konsensusit parlamentar, aq shumë të domosdoshme për kushtet aktuale të Shqipërisë në prag të sfidave madhorë të integrimit. Megjithatë, ndonëse nuk është përcaktuar një datë konkrete për thyerjen e bojkotit, socialistët kanë paralajmëruar se do të adresojnë drejt Kushtetueses 5 nga projektligjet e miratuara gjatë 3 muajve të sesionit të parë të Parlamentit.Bëhet fjalë për ligjin e Moratoriumit të skafeve, Inspektoratit special të ndërtimit, Taksat e biznesit të vogël dhe Makinat e deputetëve. Në janar të 2010 me fillim te sesionit të ri parlamentar pritet të mësohet se çdo të ndodhe më 5 projektligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar si dhe për fatin e të gjithë ligjeve që mazhoranca ka miratuar dhe kundërshtohen nga opozita, e për të cilat ka deklaruar se do t’i ankimojë në Kushtetuese.Parlamenti miratoi buxhetin e shtetit për vitin 2010, ligjin themelor ku projektohet zhvillimi ekonomik dhe social i Shqipërisë. Ligjet mbi “Paketën Fiskale”, ligjet për “Regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe të banesave”, “Regjistrimin e përgjithshëm të njësive ekonomike jobujqësore dhe atyre bujqësore”. Miratimi i ligjeve “Për ndihmën shtetërore”, ligjin “Për përcaktimin e moshës së daljes në pension të punonjësve të nëntokës”, faljen e kamatëvonesave në pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore përveç rritjes së rrogave, pensioneve dhe asistencave të projektuara në ligjin e buxhetit.Kuvendi miratoi ligje të tilla si “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” ligji “Për fondet e pensionit vullnetar”, etj, të cilat synojnë thellimin e thithjes së investimeve dhe konsolidimin e klimës miqësore ndaj biznesit.Ky Kuvend miratoi ligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” ose i njohur ndryshe Ligji Antimafia; Kuvendi miratoi ligjin “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë: Kuvendi miratoi ligjin “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”, reforma të gjitha që shënojnë arritje mjaft të rëndësishme në këtë drejtim, dhe te vlerësuara maksimalisht nga miqtë dhe partnerët e Shqipërisë....