E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi 255 mijë pensionistë kanë tërhequr pensionet dhe shpërblimin e fundvitit

Ditën e djeshme 31 mijë e 868 persona të moshës së tretë në sportelet e Postës ShqiptareMiratimi në kohë rekord dhe brenda çdo afati procedural i vendimit për pagesat e pensioneve dhe dhënien e shpërblimeve për festat e fundvitit ka bërë që deri tani mbi 255 mijë pensionistë nga 555 mijë në total, të marrin “kartolinën” e vitit të ri. Falë efektivitetit dhe punës pa ndërprerje të Posta Shqiptare, gjysma e pensionistëve kanë arritur të tërheqin pensionet e tyre dhe njëherazi bashkë me to edhe shpërblimet e qeverisë për festat e fundvitit. Përmes një njoftimi për shtyp, Posta Shqiptare ka njoftuar dje se në Tiranë vetëm gjatë ditës së djeshme 31 mijë e 868 persona të moshës së tretë kanë tërhequr shpërblimin e akorduar nga qeveria. “Ka shkuar 255 mijë numri i pensionistëve të cilët në harkun e dy ditëve kanë tërhequr shpërblimin e akorduar nga qeveria në sportelet e Postës Shqiptare. Ndërkohë vetëm në Tiranë kanë qenë 31 mijë e 868 pensionistët të cilët kanë marrë kartolinën e fundvitit. Bazuar në vendimin nr. 1216 të Këshillit të Ministrave, datë 16.12.2009 vazhdon shpërndarja e shpërblimit për festën e fundvitit për të 555 mijë pensionistët në të gjitha zyrat postare të filialeve të Postës Shqiptare. Sipas vendimit, të gjithë pensionistët do të mund të tërheqin në sportelet e postës shpërblimin prej 2500 lekësh deri më 31 dhjetor por asnjë pensionistë nuk do të mbetet pa marrë dhuratën e qeverisë edhe në janar”, thuhen në deklaratën e Postës Shqiptare. Vetëm ditën e parë të ekzekutimit të vendimit të qeverisë, 41 mijë pensionistë kanë mundur të tërheqin shpërblimet në sportelet e Postës Shqiptare. Bashkë me ditën e djeshme numri i pensionistëve që kanë tërhequr “Kartolinën e Vitit të Ri” të dhënë nga qeveria ka shkuar në 255 mijë. Për të mos krijuar probleme në shpërndarjen e pensioneve, si dhe përfundimin e dhënies së këtij shpërblimi, ISSH-ja, në bashkëpunim me Postën Shqiptare ka hartuar një grafik, i cili do të mundësojë shpërndarjen pa probleme të tij deri në fund të dhjetorit. “Sikurse dhe vitet e tjera Posta Shqiptare ishte gati me planin e masave për të qenë në dispozicion të pensionistëve me qëllimin e vetëm që ata të marrin shpërblimin e dhënë dhe asnjë prej tyre të mos mbetet pa e marrë kartolinën e Vitit të Ri. Prej ditës së parë të shpërndarjes së pensioneve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Postave Shqiptare ka nisur organizimi i shërbimit për marrjen e informacionit nga të gjitha filialet mbi aktivitetin ditorë për shpërndarjen e shpërblimeve. Ky shërbim do të jetë deri në orën 22:00 të mbrëmjes si dhe pa ndërprerje. Dhënia e shpërblimeve për pensionistët në fund të vitit motivon dhe më shumë punonjësit në punën e tyre dhe misionin që 555 mijë pensionistët të mund të marrin kartolinën e Vitit të Ri nëse do të paraqiten në sportele”, bëri të ditur më tej Posta Shqiptare.Qeveria vendosi pak ditë më parë pas një konsulte të gjerë me ekspertët e Ministrisë së Financave vazhdimin e traditës së saj, atë të dhënies së shpërblimeve me rastin e festave të fund vitit për të gjitha kategoritë e pensionistëve dhe punonjësit e administratës shtetërore. Me këtë vendim qeveria bëri të mundur shpërblimin me 2500 lekë për pensionistët në fshat dhe qytet dhe me 10 000 lekë për punonjësit e administratës....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›