E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova, si një lexim i demokracisë së pragut

Lidhjet e gjakut dhe ato farefisnore u dëshmuan si përparësitë më të mëdha për përfitimin e votave në zgjedhjet lokale. Kjo rrënoi konceptin e ndikimeve të partive dhe programeve të tyre. Balotazhi i dytë do të kërkojë kalimin e pragut të fisit në atë të fqinjit. Kjo do të jetë mirë për demokracinë. Këtë shembull presim të na e japë Prizreni si metaforë e dyfishtëNuk bëhet fjalë për pragun si kusht që partitë politike duhet ta arrijnë për të fituar epitetin e një partie parlamentare, por bëhet fjalë për pragun në kuptimin e parë të kësaj fjale. Pra, fjala është për pragun e shtëpisë. Duke qenë se ende jemi shoqëri edhe me shenja të dukshme fisnore, shumëçka nga tradita vazhdon ta rëndojë jetën tonë shoqëroro-politike. Pragu në etnopsikologjinë tonë vazhdon të jetë pika fillestare ku nis dhe mbaron e drejta e individit. Pragu në këtë rast bën metaforën më të dukshme të një shoqërie të mbyllur, çfarë është kjo e jona. Edhe luftën e zhvilluam sipas kësaj logjike, përkatësisht e motivuam atë me kuptimin e mbrojtjes së pragut të shtëpisë. Sipas të njëjtës logjikë i zhvilluam edhe zgjedhjet, ndërsa subjektet politike i kërkuan votat e qytetarëve shtëpi më shtëpi, prag më prag. Një kandidat për kryetar komune, duke përdorur këtë metodë të kërkimit të votës, i habitur tregonte se si rastësisht i kishte zbuluar dajat e babës. Jo se ishte gëzuar aq për këtë zbulim të lidhjeve të gjakut, por për faktin se pasi kishte kaluar pragun e shtëpisë së tyre dhe ishte futur brenda, ai edhe kishte marrë premtimin për votën e kërkuar. Dajat e tij ishin të ftuar në dasmën politike të kandidatit dhe një ftesë të tillë, sipas traditës, nuk do të duhej ta refuzonin.Kjo metodë u dëshmua funksionale në mjedisin tonë. Po të shikohen listat e kandidatëve për Asambletë Komunale do të shihni se, mbështetur në sistemin zgjedhor, kur është dashur të votohet për një kandidat kanë fituar ata që ftesat i kanë dërguar brenda pragut të shtëpisë. Nuk kanë fituar ata që kanë pritur se për fitimin e votave do t’iu mjaftojë kapitali politik që kanë dhe mbështetja që gëzojnë nga partitë. Rasti më ilustrues për këtë është ai i Ferizajt, ku katër shefat e grupeve të këshilltarëve të partive më të mëdha politike jo vetëm që nuk fituan garën, por disa nga ta morën edhe numër qesharak të votave.Lidhja e gjakut dhe lidhjet farefisnore u dëshmuan si avantazhi më i mirë për përfitimin e votave. Kjo dëshmi rrënoi konceptet politike mbi ndikimet e programeve të partive dhe individëve në gara. Mbase kjo lidhje bëri që në këto zgjedhje të kemi numër më të madh të votuesve, përkundër të gjitha parashikimeve se do të kemi një numër edhe më të vogël në dalje. Nuk luftuan vetëm partitë për përfitimin sa më të madh të votuesve, por luftuan edhe kandidatët për veten e tyre. Një mik imi më pyeti një ditë se përse në këto zgjedhje kaq shumë njerëz kishin trokitur në derën e tij për t’ia kërkuar votën.Ndihej i irrituar nga kjo sjellje e kandidatëve, pa e ditur mënyrën e sistemit zgjedhor, ndërsa fare nuk i intereson politika. Ai nuk e fshehu faktin se votën e tij e kishte ndarë për një kandidat që në mënyrë fare të sinqertë ia kishte kërkuar atë sall për ta siguruar një rrogë të vogël. Miku ndjehej krenar që kandidati i tij kishte fituar dhe tash e tutje, si këshilltar i Asamblesë Komunale, kishte siguruar një pagë prej 200 eurove. Kështu i kishte ndihmuar drejtpërsëdrejti fisit të tij në uljen e papunësisë. Imagjinojeni një këshilltar komunal të kënaqur me këtë pagë karshi një deputeti shumë të pakënaqur të Parlamentit të Kosovës me një pagë dhjetëfish më të madhe, përkatësisht me pagë deri mbi 2000 euro! Jemi vend i paradokseve nga më të ndryshmit. Në anën tjetër, imagjinojeni një këshilltar i cili qëllim të vetëm ka pagën prej 200 eurove dhe jo përfaqësimin e vullnetit të popullit, madje as atë të pragut brenda fisit!Le që kjo lidhje funksionoi në fitimin e votave, por ajo u bë e ndikueshme edhe në ndërtimin e koalicioneve paszgjedhore, përkatësisht në ndërtimin e koalicioneve për bashkëqeverisje. Koalicionet aktuale nëpër pushtetet lokale dëshmojnë se jo vetëm që partitë nuk kanë programe dhe koncepte të qarta politike, por ato ende funksionojnë nën interesin e individëve dhe grupeve me lidhje gjaku e fisi.Shikuar nga ky prizëm, balotazhi i përsëritur do të jetë shumë interesant veçmas për qytetin e Prizrenit. Lufta për ta pushtuar pragun e shtëpisë do të jetë shumëfish më e ashpër. Tash nuk do të pushtohet vetëm pragu i lidhjeve të gjakut dhe fisit, por edhe ai i fqinjëve, përkatësisht i komuniteteve joshumicë. Nëse vlerësojmë se dy partitë kryesore kanë një elektorat fanatik që nuk lëvizë shumë nga pozicionet e llogoreve të veta, atëherë duhet besuar se cilido nga subjektet që arrin t’i pushtojë pragjet e fqinjëve do të jetë në përparësi. Pushtimi i pragut të fqinjit, përkatësisht e drejta legjitime për ta kërkuar votën e tij, sigurisht që bën një hap përpara në zhvillimin e demokracisë në Kosovë. Natyrisht, kjo gjë do të jetë më e pranishme në qytetin e metaforës së dyfishtë - Prizrenit, i cili në një anë identifikon përpjekjet e shqiptarëve për pavarësi, kurse në anën tjetër mjedisin ku mund të bashkëjetojnë në paqe komunitetet e ndryshme.Përzierja e gjakut dhe e vullnetit bën kapërcimin e pragut drejt demokracisë....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›