E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkoti, mandatet dhe një sugjerim për krizën

Padyshim vendimi i partisë më të madhe të opozitës për bojkotimin politik të Parlamentit përbën një zhvillim të padëshiruar për kohën ku jetojmë, sfidat politike të vendit dhe pritjet qytetare ndaj politikës. Shqipëria bëri zgjedhje më 28 Qershor për të zgjedhur Parlamentin dhe jo një pjesë të tij, për të zgjedhur deputetët dhe jo vetëm gjysmën e tyre.


Parlamenti nuk mund të funksionojë si këshill kombëtar i një partie, vlera dhe thelbi i tij është funksionimi si organ përfaqësues i qytetarëve, ku veprojnë pozita dhe opozita. Në këtë kuptim, pavarësisht arsyeve zyrtare që PS ka bërë publike, bojkoti politik është akt i skajshëm politik.


Por, duke e marrë të veçuar bojkotin, si një instrument politik të përkohshëm dhe si një zgjidhje tipike në terrenin shqiptar, le të shohim aspekte të tjera të tij, sidomos raportin midis tij dhe parlamentit, të drejtës morale, politike dhe kushtetuse të parlamentarëve të rinj.


Ditët e fundit një lumë kritikash dhe deklaratash kërcënuan deputetët e opozitës se në ditën e fundit të periudhës 6 mujore parlamentare mandati i tyre bëhet i pavlefshëm. Deklaratave politike iu shtuan edhe deklarimet gati revolucionare të kryetarit të KQZ, të gjitha këto të bëra në emër të Kushtetutës, Ligjit dhe Shtetit të së drejtës.


Në këto rrethana debatesh, duket se është nisur në formë të gabuar, me mjete të gabuara, nga personat e gabuar dhe për rrjedhojë, do të ketë edhe pasoja aspak pozitive. Le të supozojmë formalisht për një moment sikur opozita të vijojë bojkotin edhe pas datës 5 mars 2010. Çfarë do të ndodhë një ditë më pas?


Do zëvendësohen me deputetët e tjerë të listës së PS? Po sikur ata (natyrisht për një parti politike), ti binden urdhërit partiak dhe ta refuzojnë mandatin? Sipas Kodit Zgjedhor, atëherë mandatet i kalojnë me radhë PSD dhe partive të tjera aleate?


Pa e vijuar skenarin hipotetik, le të pyesim cila është ajo mendje 'Kushtetuese" dhe "Ligjore", që do të marrë përsipër që në emër të Shtetit të së drejtës të zëvendësojë të gjitha mandatet e opozitës në parlament? Kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e demokracisë dhe nuk mund të ndodhë as tek ne.

Heqja dhe zëvendësimi kolektiv i mandateve parlamentare është tipar vetëm i shoqërive diktatoriale dhe në kujtesën shqiptare kemi vetëm një rast të tillë, më 1947. Pasojat dihen.


Rendja pas leximit formal të rregullores së Parlamentit apo nenit kushtetues për mandatet është sa harxhim kohe aq edhe alibi, për të mos u marrë me thelbin e problemit, por me gjerat anësore të tij. Opozita nuk ka refuzuar parlamentin, betimin dhe as mandatin parlamentar, ajo ka bojkotuar parlamentin në shkëmbim të një pakete kërkesash politike.


Vetë deputetët nuk janë individë të pavarur apo në kontratë me drejtuesit politikë të Parlamentit dhe të KQZ, ata janë së pari individë partiakë, së dyti politikanë karriere dhe në dy rastet si kontratë kryesore ata kanë atë të besimit politik me elektoratin dhe me partinë politike që i ka kandiduar.


Në historinë moderne të Shqipërisë dhe të vendeve evropiane ka me shumë raste të bojkotit politik të Parlamentit. Një rast i ngjashëm ishte edhe në vitin e mbrapshtë 1997, kur opozita nuk bëri betim, mori vendim bojkoti dhe iu përmbajt atij.


Edhe atëherë ndërkombëtarët ishin kundër, edhe atëherë askush nuk mbështeste bojkotin edhe pse arsyet e opozitës ishin 100 herë më të mëdha e të arsyeshme sesa ato të sotmet. Më 1996 opozita pati bojkotuar përsëri dhe qëndroi jashtë Parlamentit pa betim për 8-9 muaj dhe askujt nuk i vajti mendja e heqjes së mandateve.


Raste të tilla gjenden edhe në historinë moderne të vendeve shumë me demokratike, si përshembull në Britaninë e Madhe me bojkotin e deputetëve nga Irlanda e Veriut, në Italinë fqinje, në Maqedoninë fqinje, etj, por në asnjë rast nuk ka ndodhur që mandatet e tyre janë zëvendësuar.


Ky argument nuk ka më vlerë të marrë nga energjitë tona publike dhe as nga debate politike sepse nuk mund të ketë institucion politik dhe aq më tepër, institucion administrativ zgjedhor që të mund të heqë mandatet e një opozite parlamentare.


Edhe kërcënimi tjetër, i presionit përmes ndalesës së rrogës së deputetëve, është sa banal aq edhe produkt i keqkuptimit të demokracisë dhe përgjegjësisë politike. Zgjedhja e një deputeti nuk është vullnet i një drejtuesi parlamentar, është vullnet i elektoratit, i atij që quhet sovran dhe të drejtat e sovranit qëndrojnë në themel të Kushtetutës sonë.


Edhe në rastet e mësipërme shqiptare e të huaja të bojkotit, gjithnjë janë paguar rregullisht rrogat e deputetëve, sepse pagesa lidhet me funksionin kushtetues të parlamentarit; ata nuk janë të punësuar, janë të zgjedhur.


Gjithsesi personalisht mendoj se PD dhe shumica parlamentare do të duhej të ndryshojnë kahun e debatit mbi bojkotin dhe të ofrojë një rol më serioz dhe më të përgjegjshëm politik e kushtetues.


Bojkoti i PS mund të sjellë favore për këtë parti, por politikisht, mund të jetë një favor i madh edhe për mazhorancën aktuale, sidomos nëse kjo e fundit do të dijë ta administrojë. Refuzimi, sulmi, injorimi apo kërcënimi për mandate, viza apo rroga nuk janë zgjidhje afatgjatë, janë energji konsumi për nevoja politike të ditës.


Një forcë politike që promovon demokracinë dhe shtetin e së drejtës duhet të sillet si e tillë, sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me opozitën.
Edhe PS, pavarësisht të drejtave parimore, nuk mund të vijojë me protesta pafund.
E drejta politike nuk mund të mbivendoset pafundësisht mbi të drejtën kushtetuese të qytetarëve votues ose jo, për një Parlament aktiv dhe stabilitet politik të vendit.


Edhe ajo, mund të ketë përfitime afatgjata nga taktika e debatit, por edhe mund të ndodhë që të paguajë një çmim shumë më të lartë.


Pra, dy palët duke kërkuar në formë të prerë hapjen e kutive, praktikisht e kanë konsumuar këtë mjet të zgjidhjes së krizës. Kështu, ndoshta pa vetëdijën e tyre ato po ecin në pistën e gabuar dhe vendi po vijon të ushqehet me një retorikë politike dyngjyrëshe që të kujtohen vitet 90', jo vitin e parë të një vendi anëtar në NATO dhe aspirues për anëtar në BE.


Përfundimisht, në momentin kur janë konsumuar mjetet normale politike të zgjidhjes së krizës brenda Parlamentit ose kontekstit politik, rrugëzgjidhjet kushtetuese dhe ligjore mbeten vetëm dy: ose palët do të duhet të hyjnë në dialog politik (gjë që aktualisht është vështirë të ndodhë, por nëse kriza vazhdon mund të ndodhë), ose menjëherë një nga palët do të duhet t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.


Kjo Gjykatë mund të vendosë nëse çështja e rishikimit të votës është një e drejtë kushtetuese apo një instrument ligjor i konsumuar tashmë nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Vendimet e saj janë të formës së prerë dhe mund të jenë mbi partitë, mbi qeverinë, mbi KQZ dhe mbi Kolegjin Zgjedhor.


Ky variant praktikisht ka edhe mbështetjen ndërkombëtare dhe në çdo rast, mund të shërbejë si një leksion demokracie për të konflikte të ngjashme të së ardhshmes.


Vendimi i gjykatës mund të jetë në favor të njërës parti, ose të asnjërës, por në çdo rast vendimi mund të jetë në favor të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri. Më së paku, një investim i tillë i një / dy partive të mëdha i ndihmon ato të mësohen me Shtetin ligjor dhe me Kushtetutën dhe njëherësh edhe vetë Gjykatën Kushtetuse, të mësohet se detyra e saj nuk është të merret vetëm me gjyqe pronësie, por edhe me zgjidhjen e krizave ligjore e politike që kanë të bëjnë me natyrën kushtetuese të shtetit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›