Benedikti XVI në Çeki: Evropa ka nevojë për Zotin që të gjejë shpresën për të ardhmen

Në audiencën e përgjithshme të paradites së djeshme në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Benedikti XVI përshkoi edhe një herë udhëtimin e tij apostolik në Republikën Çeke, të cilin e quajti “mision në zemër të Evropës”. Ati i Shenjtë u bëri edhe një herë thirrje besimtarëve për shpresë në të ardhmen dhe nënvizoi se Evropa ka nevojë të rigjejë rrënjët e saj të krishtera. Papa u ndal në interpretimin e motos së vizitës së 13-të apostolike “Dashuria e Krishtit është forca jonë”, e theksoi: “Një forcë, që frymëzon dhe u jep shpirt revolucioneve të vërteta, paqësore e çlirimtare dhe na mban në momentet e krizës, na lejon ta ngremë sërish kryet kur liria, e fituar me vështirësi, rrezikon të humbasë vetveten, të vërtetën e vet”. Dashuria e Krishtit, pohoi më pas Papa, u zbulua fillimisht në fytyrën e një Fëmije. Për këtë arësye, shpjegoi ai, etapa e parë e udhëtimit qe kisha e Shën Marisë së Fitores në Pragë, ku nderohet shtatorja e “Krishtit Fëmijë”:
“Para Fëmijës së Pragës u luta për të gjithë fëmijët, për prindërit, për të ardhmen e familjes. “Fitorja” e vërtetë, që sot i kërkojmë Zojës, është fitorja e dashurisë dhe e jetës në familje e në shoqëri”. Ati i Shenjtë kujtoi më pas takimet në kështjellën e Pragës, ku mundi të prekë me dorë situatën në fushën civile e atë fetare. Në veçanti, përmendi fjalimin para Trupit Diplomatik, të cilin e këshilloi ta mbajë gjithnjë të fortë lidhjen që ekziston ndërmjet lirisë e së vërtetës: “Nuk duhet të kemi frikë nga e vërteta, sepse ajo është mike e njeriut dhe e lirisë së tij; madje, vetëm përmes kërkimit të së vërtetës, të së mirës e të së bukurës mund t’i ofrohet me të vërtetë një e ardhme rinisë së sotme dhe brezave që do të vijnë… Kush ka përgjegjësi në fushën politike dhe edukative, duhet të dijë të marrë nga drita e asaj të vërtete, që është pasqyrim i Dijes hyjnore të Krijuesit dhe, është i thirrur ta dëshmojë me jetën e vet”. Vetëm impenjimi për një jetë të denjë intelektuale e morale shpagon flijimin e atyre që e kanë arritur lirinë me një çmim tepër të lartë, edhe me dredhjen e gjakut. Papa foli më pas për kremtimin e Lutjeve Mbrëmësore me klerin e laikët katolikë çekë: “Për bashkësitë e Evropës qendro-lindore ky është një moment i vështirë: pasojave të dimrit të gjatë të totalitarizmit ateist po u shtohen edhe efektet dëmtuese të një lloj shekullarizimi e konsumizmi perëndimor”. Prandaj, këshilloi Benedikti XVI, është e nevojshme që të marrim energji gjithnjë të reja nga Zoti i ringjallur, për të qenë tharmi i Ungjillit në shoqëri. Në dy Meshët e mëdha, në Brno e në Stara Boleslav, pohoi Papa, mesazhi më i rëndësishëm qe ai i shpresës bazuar mbi fenë e Krishtit. Është shpresa e shenjtorëve Ciril e Metod, ungjillëzues të popujve sllavë, dhe e shën Vençeslaut, i cili zgjodhi mbretërinë qiellore në vend të asaj tokësore e për këtë arësye, mbeti në zemrën e popullit çek. Pastaj, Ati i Shenjtë kujtoi takimin me të rinjtë dhe ftesën që u drejtoi për ta konsideruar Krishtin si mikun e tyre të vërtetë, që kënaq aspiratat më të thella të zemrës njerëzore. E Papa nuk mungoi të përmendë edhe takimin ekumenik në kryeipeshkvinë e Pragës: “Përpjekja për të ecur përpara drejt bashkimit gjithnjë e më të plotë e më të dukshëm ndërmjet nesh, që besojmë në Krishtin, e bën më të fortë e më të frytshëm impenjimin e përbashkët për rizbulimin e rrënjëve të krishtera të Evropës”. Së fundi, Benedikti XVI foli për takimin me botën akademike të Çekisë, duke theksuar se pikërisht nga universiteti filloi 20 vjet më parë, revolucioni që përmbysi komunizmin në atë vend: “20 vjet pas asaj ngjarjeje historike, ripropozova idenë e formimit të gjithanshëm të njeriut, bazuar mbi unitetin e njohjes së rrënjosur në të vërtetën, për të kundërshtuar një diktaturë të re, atë të relativizmit bashkuar me pushtetin e teknikës”. Kultura humaniste e ajo shkencore, përfundoi Papa, nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra, madje janë fytyrat e së njëjtës medalje, siç kujtojnë njerëz të shquar të kombit çek, si shkrimtari Franc Kafka e shkencëtari abat Gregor Mendel, babai i gjenetikës.
Kryeipeshkvi Miliore në Asamblenë e OKB-së: Të përtërihet rendi ndërkombëtar nga brenda sistemit të Kombeve të Bashkuara/Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, kryeipeshkvi Çelestino Miliore mbajti dje një fjalim para Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, mbledhur në sesionin e saj të 64-t. “Ne popujt e Kombeve të Bashkuara, të vendosur…të ripohojmë besimin në të drejtat themelore të njeriut, në dinjitetin e në vlerën e personit, në barazinë e të drejtave të burrave e grave e të kombeve të mëdha e të vogla…” Kështu shkruhet në parathënien e Kartës së OKB-së, miratuar në vitin 1945. Duhet të rikthehemi te këto parime bazë, tha imzot Miliore, për ta përtërirë rendin ndërkombëtar nga brenda, aty ku ndodhin krizat e vërteta. Përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë uroi të koordinohen më mirë mbledhjet e G8-s, të G20-s, takimet rajonale e ndërkombëtare me Asamblenë e OKB-së, në mënyrë që vendimet e marra në selinë e OKB-së të pasqyrojnë vërtet pikëpamjet dhe aspiratat e krejt popujve të globit. Gjithashtu duhen gjetur mënyra më të mira për t’i lidhur vendimet e grupeve të vende të ndryshme me ato të OKB-së. Çdo njeri, theksoi kryeipeshkvi, ka të drejtë të ketë një qeverisje të denjë. Nga ana tjetër, secili duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e veta e të respektojë dinjitetin e tjetrit. Të drejtat e detyrat janë të pandashme. Imzot Miliore denoncoi gjendjen në Honduras, kërkoi që ndihmat për zhvillim të mos drejtohen kundër rritjes demografike dhe bëri thirrje që në Konferencën e Kopenhagenit mbi klimën, e cila do të mbahet nga 8 deri më 16 dhjetor, vendimet të merren si detyrë morale e të kthehen në norma ligjore, që mbrojnë planetin e u sigurojnë brezave të ardhshëm një ambient të shëndetshëm.
...