E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkotohet kopshti i fëmijëve në Belsh

Ngjarja Shkak, paragjykimi i prindërve për vogëlushen e infektuar me virusin HIV/AIDS

Një ditë pas revoltës së prindërve për përjashtimin e vogëlushes 4-vjeçare të infektuar nga virusi HIV/AIDS, në kopshtin e qytetit të Belshit nga 28 fëmijë që ka grupi 20 prej tyre kanë braktisur kopshtin. Por edhe vogëlushja Enkelajda ka mbetur në shtëpi, për shkak të trysnisë së opinionit publik. “Unë e kam trajtuar vajzën si të barabartë me të tjerët. E kam inkurajuar pa i dhënë të kuptojë se është e sëmurë, por në të njëjtën kohë, jam nën trysninë e prindërve për ta larguar nga grupi, gjë për të cilën nuk jam dakord dhe nuk është në kompetencën time”, ka pohuar edukatorja Elona Hida. Pak ditë më parë, një ekip i Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë organizuan një bashkëbisedim me prindërit e fëmijëve, për t’i sqaruar lidhur me këtë situatë, ndonëse duket se kjo nuk ka dhënë asnjë efekt.

“Unë si mjek pohoj me përgjegjësi profesionale se nga fëmija i sëmurë nuk transmetohet asgjë te bashkëmoshatarët e tyre në kopsht. Me këtë rast i bëj thirrje komunitetit të prindërve të heqin mentalitetin e tyre, për të mos rënduar më shumë gjendjen psikofizike të vajzës së vogël”, shprehet mjeku Asqeri Kuqja, në Belsh. Nga ana tjetër, e ëma e vogëlushes pohon se nuk e ka dërguar vajzën në kopsht, pasi e ka kuptuar qëndrimin e të tjerëve dhe ka kërkuar që vajza të shkojë në një grup tjetër. “Sa për ankesat e infektimit, vajza rri, ha dhe fle me motrën tjetër binjake dhe mjekët më kanë thënë se nuk përbën asnjë rrezik”, shpjegon Violeta Idrizi.

Familja Idrizi jeton që prej tre vjetësh me ankthin e vajzës së sëmurë. I ati ka braktisur punën si emigrant në Itali, për të qenë afër saj. Ankthi dhe dhimbja duket se janë shtuar dy ditë më parë, kur prindërit e shokëve dhe shoqeve të kopshtit të vajzës kanë dhënë ultimatumin: Të largohet nga kopshti ose ne nuk vijmë më këtu!”. Aktualisht, familja Idrizi jeton në kushte të rënda financiare edhe për shkak të shpenzimeve për sëmundjen e vajzës. Por pas një sensibilizimi mediatik, një qytetar tiranas ka udhëtuar drejt Belshit, për t’i dhuruar vajzës disa lodra dhe familjes 140 mijë lekë. “Unë kërkoj ndihmën e shtetit për të kuruar vajzën jashtë, sikurse u lutem donatorëve vendas dhe të huaj që të vënë dorën në zemër për vajzën time, pasi ç’kisha fituar në emigracion, i kam harxhuar për të dhe tani ndodhem në gjendje të vështirë”, thotë i ati i saj, Xhimi.

Familja Idrizi ka hedhur në gjyq Ministrinë e Shëndetësisë për indiferencë ndaj ankesës së tyre dy vjet të shkuara. Por e vërteta e infektimit, nis në kohën kur vogëlushja ka pasur nevojë për gjak, krah motrës së sëmurë në spitalin pediatrik të Elbasanit. Mjeku Edmond Laho, me kërkesën e së ëmës ka pranuar që si fëmijë anemike t’i jepej gjak, por më vonë ka rezultuar se gjaku i infektuar me virusin HIV ishte dhuruar nga një studente vlonjate. Gjashtë vjet më parë kjo studente mësohet se në shenjë hakmarrjeje, pasi ishte infektuar me këtë virus nga i dashuri i saj, kishte deklaruar publikisht, pasi kishte dhuruar gjak disa herë në Elbasan, se këtij qyteti do t’ia linte këtë sëmundje ngjitëse. Në qershor të vitit 2008, familja Idrizi ka bërë një denoncim në Prokurorinë e Elbasanit. Por duket se organet e drejtësisë në Elbasan nuk kanë bërë asgjë deri tani. “Kam trokitur në dyert e prokurorisë disa herë, por më kanë nxjerrë përjashta”, ka pohuar gjyshi i vajzës, Agim Dervishi. Ai bashkë me familjarë të tjerë ka kërkuar që të vihen para përgjegjësisë ata që shkaktuan infektimin e vogëlushes, qëkur ishte gjashtëmuajshe. Familjarët e vajzës së sëmurë janë detyruar të paguajnë shumë për analizat në Tiranë, që vërtetuan prezencën e virusit HIV të marrë gjatë transfuzionit të gjakut në qendrën e dhurimit të gjakut në Elbasan. Përfaqësues të kësaj qendre shfajësohen duke thënë se çdo analizë, pasi dhuruesi jep gjak, bëhet në Tiranë dhe prej andej konfirmohet laboratikisht përdorimi i këtyre dozave.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›