E Shtunë, 31 Tetor 2026

KiE: Fund bojkotit, hetim të zgjedhjeve në Kuvend

Deklarata përfundimtare ndryshon pas ndarjeve brenda delegacionit

Kriza shqiptare rikthehet në pikën e nisjes, pasi delegacioni i Këshillit të Europës nuk ka arritur dot të pajtojë Kryeministrin Sali Berisha dhe liderin e opozitës, Edi Rama. Madje, misioni special i cili është nisur nga Strasburgu me një rezolutë që shpreh një gjuhë të ashpër, e ka zbutur dukshëm qëndrimin, duke lëshuar në fund një deklaratë evazive që ua le në dorë zgjidhjen politikanëve shqiptarë. Të gjithë pjesëtarët e delegacionit janë larguar dje në drekë me avionë të ndryshëm, ndërkohë që hoteli ishte rezervuar deri të enjten me shpresë se mund të arrihej marrëveshja dhe të jemi prezentë në sallën e Parlamentit. Pas dështimit të së hënës mbrëma, kur organizatorët e nxorën si të arritur paqen mes Berishës dhe Ramës, shtyrjes së negociatave për sot, parlamentarët e Këshillit të Europës, që drejtoheshin nga kreu i Asamblesë, turku, Mevlud çavushoglu, kanë dalë dje me një deklaratë e cila kërkon: ngritjen e menjëhershme të Komisionit Parlamentar hetimor të zgjedhjeve të 28 qershorit, i cili duhet të jetë me shumicë dhe me drejtimin e Partisë Socialiste, hyrjen e menjëhershme të PS-së në Parlament. Komisioni hetimor duhet të përgatisë amendamentet për ndryshimet e duhura në Kodin Zgjedhor dhe ndryshimet e Kushtetutës. Por për objektin e hetimit të komisionit, Këshilli i Europës nuk ka gjetur konsensus mes vetes ndaj nuk është shprehur. Gjatë gjithë ditës së hënë dhe në mëngjesin e djeshëm, anëtarët e delegacionit kanë pasur qëndrime të ndryshme dhe më në fund kanë dalë në një qëndrim “diplomatik” duke ua lënë negociatat në dorën e Presidentit Bamir Topi. Kreu i asamblesë parlamentare të KiE-së, çavushoglu, pyetjes së gazetës “Shqip” në lidhje me objektin e punës së komisionit të posaçëm hetimor, ka deklaruar se “ne nuk prononcohemi në lidhje me kutitë e votimit, por presim që kjo çështje të gjejë zgjidhje nga palët”. Ndërkaq, në lidhje me kohën që mund të presë komuniteti ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës, çavushoglu ka qenë shumë i qartë: “Ajo duhet zgjidhur menjëherë”. Ndërkaq, para nisjes së konferencës për shtyp të delegacionit të KiE-së, kanë qenë prezentë në ambientet e “Rogner” ambasadori i SHBA-së në Tiranë, John Withers, ambasadori i Spanjës, Manuel Montobio, ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona McIlwham, si dhe kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robet Bosch. Diplomatët janë konsultuar gjatë me reporterët për Shqipërinë Jaako Lasko dhe David Wilshire, duke ndihmuar me anë të kontakteve me Berishën dhe Ramën për të gjetur një zgjidhje. Por në fytyrat e ambasadorit Withers dhe Montobio shihej qartë pakënaqësia për ndalimin e situatës. Ndërkaq, një anëtar i delegacionit të KiE-së, i tha “Shqip” se kriza politike vazhdon të jetë në kulmin e saj dhe jemi në pikën e nisjes. Kreu i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ka deklaruar se do të vazhdojmë ta monitorojmë situatën në çdo kohë, pasi Shqipëria është nën monitorim dhe reporterët do të përgatisin raporte për situatën. Por zbutja e qëndrimit në konferencën e djeshme për shtyp ka qenë një shenjë e mosarritjes së objektivit nga misioni special i KiE-së. Sipas të gjitha gjasave, kriza shqiptare do të transferohet të trajtohet tani nga Strasburgu në Bruksel, pasi Bashkimi Europian ka më shumë fuqi mbi Tiranën, pasi e mban të lidhur në dy nyjë gordiane siç janë vizat dhe çështja e statusit të vendit kandidat.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›