E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nuk tërhiqemi. Nuk u tha se kutitë sduhen hapur

Kreu i socialistëve insiston se nuk merr fund bojkoti pa hetim të pakushtëzuar

Partia Socialiste përshëndeti dje deklaratën e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, por qartësoi se nuk bën asnjë hap prapa në lidhje me kërkesën për të hapur dhe hetuar kutitë e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Pak orë pas mesazhit përfundimtar të delegacionit ndërkombëtar, edhe kryetari i selisë rozë vlerësoi përpjekjet e tyre për të arritur një marrëveshje. Ai shprehu angazhimin e partisë që drejton për të arritur në një zgjidhje, ndërsa garantoi se kërkesa për hapjen e kutive mbetet e patjetërsueshme. Ndër të tjera, Rama sqaroi se PS-ja i mbetet vendimit për të mos hyrë në Parlament deri sa të sigurohet se kutitë do të hapen. Pas interesimit të medias, Rama u ndal tek një prej pikave të deklaratës së KiE-së, veçanërisht aty ku përmendet se opozita të shkojë në Parlament dhe të jetë ajo drejtuese ose të ketë mazhorancën e këtij komisioni. Rama u përgjigj se nuk qëndron problemi tek drejtimi i këtij komisioni, por te fakti se mazhoranca do të tentojë të kufizojë objektin e hetimit të tij. Dua ta theksoj fare shkoqur, tha Rama, se as në bashkëbisedimet e sinqerta dhe as në deklaratën e tyre zyrtare dhe as në përgjigjen e mysafirit turk, nuk dëgjova të mohohej e drejta jonë për hapjen e kutive. “Askush nuk tha kutitë nuk mund dhe nuk duhet të hapen”, insistoi Rama. Në vijim të mesazhit të tij, pas takimeve të shumta dhe të ngjeshura të delegacionit europian, Rama garantoi se pa hapje të kutive nuk ka zgjidhje të krizës dhe as rifillim të jetës parlamentare normale. Sepse, siç tha ai, kjo krizë nuk i ka rrënjët te bojkoti i opozitës, por te mohimi i së drejtës kushtetuese për të hetuar zgjedhjet, të cilat është e qartë si drita e diellit se nuk mund të hetohen pa nxjerrë të vërtetën e kutive në sytë e popullit, jo për të ndryshuar rezultatin, por për të shembur sistemin e korrupsionit që pengon lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Duke u ndalur te komisioni hetimor dhe mënyrën e tij të funksionimit, kreu i socialistëve vuri në dukje se e drejta e opozitës për të qenë në krye të këtij komisioni është një fakt i njohur, por ajo çfarë sjell pengesa është objekti i hetimit. “Ne kemi kohë që e dimë, siç e dini dhe ju, që e drejta e shumicës dhe e komisionit na është njohur, por na thuhet se kjo shumicë nuk mund të ushtrojë vullnetin e saj sovran, për shkak se mazhoranca është e vendosur ta kufizojë objektin e hetimit, ndërkohë që në Kushtetutë është e qartë, po ashtu edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që mazhoranca nuk ka të drejtë ta kufizojë objektin e hetimit deri në pikën që hetimi bëhet i pakuptimtë dhe që vet harku i hetimit është i pamjaftueshëm për të realizuar qëllimin e tij”, nënvizoi Rama. Ai qartësoi se PS do të vijojë të kërkojë zgjidhje për të eksploruar të gjitha rrugët demokratike, që nga dialogu, deri te protesta dhe gjithçka ka mes tyre. I pyetur nëse mazhoranca mund ta çojë në Komisionin e Venecias vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Rama vlerësoi se nuk ka asgjë kundër.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›