E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkotojnë mësimin nxënësit, kërkojnë rrugë

22/04/2009  Në protestë banorët e komunës Portëz: Nuk do të lejojmë kutitë e votimit

Paralajmërohet përshkallëzim deri në grevë urie nga të gjithë

Kanë qenë rreth 400 banorë të 3 fshatrave Plyk, Lalar dhe Portëz të komunës Portëz në Fier, të cilët paraditen e djeshme kanë dalë sërish në protestë në rrugën kryesore që lidh 8 fshatrat e kësaj komune me rreth 8000 banorë. Protesta është zhvilluar për gjendjen e vështirë të kësaj rruge, e cila qysh prej disa vitesh është e shkatërruar. Për të përforcuar protestën e tyre, së bashku me prindërit kishin dalë në protestë edhe fëmijët e tyre megjithëse ishte një ditë mësimi. Shkolla e ciklit 9-vjeçar ku mësojnë rreth 250 nxënës ishte tërësisht e boshatisur. Sipas banorëve të këtyre 3 fshatrave, shkolla do të vazhdojë të qëndrojë e boshatisur dhe e bojkotuar prej nxënësve deri në çeljen e fondeve për rikonstruksionin e rrugës. Gjatë protestës, banorët janë shprehur se nuk do të lejojnë vendosjen e kutive të votimit në fushatën zgjedhore. Ata kërkojnë rikonstruksionin e rrugës që lidh komunën me fshatrat, e cila është tërësisht e shkatërruar. Në rast

mosrikonstruksioni, banorët shprehen se do të vazhdojnë jo vetëm të mos lejojnë fëmijët në shkollë, por madje së bashku me ta do të hyjnë në grevë urie. “Kemi më shumë se 20 vjet që këto fshatra kanë ndjerë dhe vazhdojnë të ndjejnë moskujdesin e qeverisë dhe mungesën e 2 elementëve kryesore për të jetuar, siç janë uji dhe rruga”,-kanë pohuar banorët. Ndaj ne do të vazhdojmë protestën tonë së bashku me fëmijët tanë, nxënës të shkollës “Shyqyri Behari” në Kraps, të cilët janë të detyruar të braktisin mësimin për shkak të mungesës së rrugës. Zëri i tyre do të bashkohet me zërin e prindërve, të cilëve u ka vajtur thika në eshtër”.

Banorët kanë pohuar se asnjë qeveri, dhe asnjë deputet nuk i ka parë nga afër hallet tona, përkundrazi vijnë sa për të marrë votën. “Ne jemi të zhgënjyer nga çdo qeveri”,-pohojnë banorët dhe nuk do të pranojmë më asnjë kuti votimi të hyjë në fshatrat tona”. A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›