E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalojnë kufizimet për nivelin e taksave vendore

22/04/2009  Komisioni i Ekonomisë kalon draftin pa votat e opozitës

Pushteti lokal vendos taksa jo më pak se 30% dhe jo më shumë se 10%

Në munges të ekspertëve të opozitës, Komisioni i Ekonomisë kaloi dje kufizimet në nivelin e taksave dhe tarifave që vendosin pushtetet lokale. Projekti parashikon që bashkitë dhe komunat të mos ulin më shumë se 30 për qind taksat dhe tarifat ndaj biznesit, por as të mos i rrisin ato më shumë se 10 për qind. Ndryshimet në ligj u bënë pas debateve mes pushtetit qendror dhe Bashkisë së kryeqytetit, pas rritjes së ndjeshme të taksave e tarifave lokale. Pas kësaj faze, projektligji do të diskutohet në seancë parlamentare.

Kufiri

“Mollë e sherrit” është bërë taksa e gjelbër, e cila cilësohet si e përkohshme për bizneset e vogla, të cilat paguajnë edhe tarifën e pastrimit. Këto taksa miratohen çdo vit me vendim të këshillave bashkiake. “Ne nuk do të kishim ndërhyrë për këto ndryshime në rast se pushtetet lokale, disa prej tyre jo të gjitha, nuk do të kishin ecur në dy tre gabime që unë po i listoj më poshtë. Rrugë të gabuara ne vlerësojmë që kanë qenë përdorimi i diskrecionit maksimal për të kaluar në plus 30 për qind të kuotave fikse, prezantimi i taksave të fshehura nën emrin e tarifave dhe abuzimi me disa taksa, të cilat ju si ligjvënës keni dhënë autorizimin të përdoren për periudha të shkurtra kohe, si taksa të përkohshme për një qëllim të caktuar në dobi të komuniteteve. Po vëmë re që kjo fjala e përkohshme vetëm letër mbetet, pasi ato janë kthyer tashmë në taksa të përhershme dhe rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi bizneset e vogla”, - tha gjatë prezantimit të tij, zëvendësministri i Financave, Florion Mima. Me këto ndryshime taksa dhe tarifa vendore shkurtohet në 7 mijë lekë në vit, nga rreth 20 mijë lekë që duhet të paguanin bizneset e vogla me xhiro vjetore deri në 3 milionë lekë në vit për pastrim dhe gjelbërim në Bashkinë e Tiranës.

Decentralizimi

Opozita ka kundërshtuar ndryshimet me argumentin se kjo ndërhyrje cenon procesin e decentralizimit të pushtetit vendor. Por zëvendësministri Mima u shpreh se ndryshimi është në favor të bizneseve. “Ky projektligj që sjellim ne sot para jush, absolutisht nuk cenon asnjë parim të kartës së autonomisë të pushtetit lokal, përkundrazi konfirmon vullnetin e kësaj mazhorance, i cili është shprehur që ditën e parë të ardhjes në pushtet, për të lënë sa më shumë para në duart e bizneseve dhe të operatorëve ekonomikë”, - tha Florion Mima. Në lidhje me administrimin e këtyre taksave dhe tarifave, ndryshimi përcakton se këshilli bashkiak dhe ai komunal vendosin për llojet e tarifave, nivelin, rregullat bazë për administrimin dhe mbledhjen e tyre, si dhe përcaktojnë nëse tarifat do të mblidhen nga vetë strukturat bashkiake ose komunale apo nga një agjent. “Por në asnjë rast shuma e tarifave vendore, të aplikueshme për tatimpaguesit e biznesit të vogël, nuk duhet të kalojë 10 për qind të nivelit tregues të taksës, sipas tabelës së taksimit të subjekteve të biznesit të vogël”, - thuhet në pikën e ndryshuar të ligjit.

Nisma

Ka qenë Kryeministri Sali Berisha, i cili ka prezantuar këtë ndryshim në ligjin për taksat vendore, me argumentimin se në disa bashki dhe komuna ka pasur dyfishim të nivelit të taksave për biznesin. Vendimi ka kaluar në mbledhjen e fundit të qeverisë, atë të datës 15 prill të këtij viti. Madje në relacion theksohet fakti se ky projektligj kalon për shqyrtim dhe miratim, me procedurë të përshpejtuar në Kuvedin e Republikës së Shqipërisë.

Taksat e përkohshme

Sipas nenit 33, Këshilli Bashkiak ose Komunal, kur e gjykon të domosdoshme, vendos taksa me karakter të përkohshëm në interes të përgjithshëm të komunitetit në territorin brenda juridiksionit të saj. Masa e taksave me karakter të përkohshëm, së bashku me taksat dhe tarifat e aplikueshme, nuk duhet të kalojnë kufirin plus 10 për qind të nivelit tregues të taksës së biznesit të vogël, sipas tabelës së taksimit të subjekteve të këtij biznesi.

Debati

Debati për taksat vendore ka vijuar mediatikisht për një kohë të gjatë, ku ditë pas dite krerët e të dy forcave më të mëdha politike kanë hedhur akuza ndaj njëri-tjetrit. Debati më i nxehtë është bërë për Bashkinë e Tiranës, ku sipas mazhorancës, kryetari i saj njëkohësisht edhe kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka dyfishuar taksat dhe tarifat vendore për bizneset, më konkretisht taksën e gjelbërimit dhe të pastrimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›