E Diel, 1 Nëntor 2026

Bolena, atje ku Ali Pashai kaloi adoleshencën



Bolena dhe personalitetet shqiptare që kanë lidhje me këtë fshat janë në qendra e dokumentarit të fundit të Servet Tartarit dhe Petrit Rukës të shfaqur premierë këto ditë në Kinema Millenium në Tiranë. Nën optikën e kameras së Ilia Tërpinit, Bolena shfaqet e ekranizuar mes të shkuarës dhe së tashmes. Një fshat që ka lindur luftëtarë dhe sportistë. Vendi ku Ali Pashë Tepelena kaloi adoleshencën. Në metropolin e zhurmshëm shqiptar nuk është çudi që shumë pak njerëz të kujtojnë emrat e fshatrave pa pasur një lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me to. Edhe nëse e kanë mësuar njëherë historinë, kohët e sotme mund ta kenë zbehur kujtesën... Dokumentari “Bolenë, trimja Bolenë” është një realizim i skenaristit Servet Tartari, regjisorit Petrit Ruka dhe fotografit e kameramanit Ilia Tërpini. Në 71 minuta përmes xhirimeve të realizuara në peisazhet e bukura të fshatit Bolenë, të rrethit të Vlorës, autorët synojnë të zbulojnë historinë e këtij fshati të vogël, duke filluar madje që nga legjendat që ekzistojnë për krijimin e tij. Ndonëse një fshat i vogël, Bolena ka një histori për tu lexuar. Mjafton të përmendim se në këtë fshat Ali Pashë Tepelena ka kaluar vitet e adoleshencës së tij dhe mbi këtë kohë autorët e dokumentarit kanë ngritur një kapitull të tërë të bazuar mbi fakte e gojëdhëna. Por Ali Pasha nuk është i vetmi personazh i historisë së Bolenës; Në periudhën e Tanzimatit fitojnë nam Leskodukajt me çetën e tyre legjendare dhe më pas është historia e fshatit fut në radhët e saj Isuf Bushin e Parë dhe Isuf Bushin e Dytë. I pari i njohur si luftëtar dhe me bustin që sot e kësaj dite gjendet në mes të Janinës, ndërsa i dyti si ish-diplomat i Rumanisë në Janinë që më pas do të linte selinë për tu kthyer në vendlindje ku do të hapte të parën shkollë shqipe. Në periudhën e shpalljes së Pavarësisë dhe në qeverinë e Ismail Qemalit janë sërish protagonistë një sërë emrash nga fshati I Bolenës. Një kapitull i dokumentarit sjell kohën e Luftës së Dytë Botërore dhe përfshirjen e këtij fshati në luftë duke u ndalur në një nga herojntë e tij, Asim Aliko. Bolena nuk shënon në historinë e saj vetëm luftra dhe figura që kanë fituar përmasa epike, por edhe personalitete në fushën e sportit. Të paktën 41 sportistë kanë lënë emrat e tyre në historinë e sporteve të ndryshme jo vetëm në vendin tonë, por edhe jashtë tij. Më të spikaturit, janë profilizuar në dokumentar, si Bejkush Birçe, Perlat Musta, Alban Bushi dhe Romela Bega.

5 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›