Dramë në Peqin, humbet Shkumbini
Edhe Shkumbini mund të humbasë në shtëpi. Madje ishte e vetmja humbje e ekipeve shtëpiake në javën e 6-të të Superligës. Dhe këtë skuadrës peqinase ia shkaktoi Lushnja, fqinja e saj. Pas tre fitoresh në Peqin, Shkumbini humbi 1-2 me Lushnjën, që nga ana e saj regjistroi fitoren e dytë sezonale, pas asaj me Flamurtarin në javën e tretë. Mbrojtësi Erald Turdiu ishte personazhi “VIP”, pasi realizoi një gol e u ndëshkua me karton të kuq, por heronjtë e ndeshjes ishin Bubeqi e Çela, që me golat e tyre firmosën edhe fitoren e formacionit të Saimir Malkos. Shkumbini i Gugash Maganit ishte i bindur se vetëm presioni ndaj kundërshtarit do ta çonte te goli. Në minutën e 16-të, Erald Turdiu realizoi me penallti, duke krijuar përshtypjen e një fitoreje të lehtë ndaj verdhjeshilëve. Por, tre minuta përpara përfundimit të pjesës së parë, Dorian Bubeqi, duke shfrytëzuar me zgjuarsi një aksion të Lushnjës, shënoi në minutën e 42-të. Në fraksionin e dytë të ndeshjes, Turdiu ndërhyri në mënyrë të gabuar ndaj Bubeqit, e gjyqtari Bardhyl Pashaj e dërgoi tiranasin në dhomat e zhveshjes.
Gentian Çela nuk gaboi nga pika e bardhë në minutën e 73-të. Edhe pse gjyqtari i katërt akordoi pesë minuta shtesë, por Nora nuk realizoi dot në minutën e 93-të, por portieri Spaho e devijoi në goditje këndi. Një humbje dëshpëruese e Shkumbinit, për më tepër në shi, por e merituar e Lushnjës, që iu shkëput vendin të fundit, duke lënë pas Partizanin e Bylisin.
Java e penalltive
Java e 6-të e Kategorisë Superiore, mund të quhet edhe “java e penalltive”, pasi të paktën gjashtë ndeshjet e zhvilluara u dhanë katër penallti, dy prej të cilave vendosën edhe fatin e takimit, ndërsa dy të tjera ndikuan në rezultatin e ndeshjes. Kështu, Bekim Kuli me penalltinë e tij të realizuar kundër Elbasanit (1-o) i siguroi fitoren e parë formacionit kavajas. Të njëjtën efekt prodhoi edhe 11-metërshi i realizuar nga kroati i Flamurtarit, Mate Brajkoviç në fitoren e ngushtë me Partizanin (1-0). Takimi Shkumbini-Lushnja (2-1) pati gjatë 90 minutave dy penallti: Turdiu realizoi golin e parë për vendasit, ndërsa Çela vulosi rezultatin për miqtë.
Besa arrin fitoren e parë në shtëpi
Besa më në fund pas katër ndeshjesh të zhvilluara në shtëpi arriti fitoren e parë, por dhe trajneri Ilir Daja regjistroi fitoren e parë, pas një humbjeje me Shkumbinin (1-0) e një barazimi me Teutën (1-1). Dhe këtë e arriti ndaj ish-skuadrës me të cilën fitoi titullin e parë kampion, Elbasanit, edhe pse me rezultatin e ngushtë 1-0. Mbrojtësi i Elbasanit, Endri Vrapi pengoi sulmuesin e Besës, Gerhard Progri brenda zonës, e gjyqtari nuk u mendua dy herë për të dhënë penallti. Kapiteni Bekim Kuli realizoi me një gjuajtje të lehtë, duke mposhtur portierin verdheblu Osmani. Ky ishte goli i dytë me penallti i ish-sulmuesit të Dinamos, pas atij kundër Bylisit e i treti sezonal për kavajasin. Një fitore me vlera, teksa Daja ka dy javë kohë për të përgatitur skuadrën e tij për ndeshjen e radhës në transfertë kundër Lushnjës, që fitoi me Shkumbinin. Elbasani pret nga ana e tij në javën e 7-të (18 tetor 2008) Teutën, që fitoi të premten 2-0 me Apoloninë.
5 Tetor 2008